Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, pritet që të japë dorëheqje pasi e sulmoi ashpër me fjalë kryetarin e partisë së të djathtës ekstreme “Lidhja”, Matteo Salvini.
Conte, profesor i drejtësisë që u bë i njohur vitin e kaluar pasi u zgjodh udhëheqës i koalicionit mes partisë “Lidhja” dhe lëvizjes “Pesë Yjet”, do të mbajë një fjalim në kuvend të martën në orën 15, rreth dy javë pas largimit të Salvinit nga koalicioni qeverisës.
Partia “Lidhja” ka kërkuar mocion votëbesimi kundër kryeministrit Conte, por ai do t’i shmanget një veprimi të tillë në rast se ia dorëzon mandatin presidentit italian, Sergio Mattarella.
Gazetat italiane kanë shkruar se Conte në këtë fjalim do t’i kritikojë ashpër veprimet e Salvinit dhe në të njëjtën kohë do t’i radhitë sukseset e qeverisë së tij dhe rreziqet që vijnë nga prishja e koalicionit.
Kryeministri Conte, i cili zakonisht është i qetë dhe flet me zë të ulët, e ashpërsoi fjalorin kundër Salvinit fundjavën e kaluar, duke e akuzuar atë për pabesi dhe entuziazëm për mbylljen e porteve të Italisë për imigrantët afrikanë. Mosmarrëveshja mes tyre nisi kur Conte refuzoi ta nënshkruante urdhrin për ndalimin e hyrjes së anijes me imigrantë në portin e Lampedusa-s.
Salvini u tërhoq nga qeveria më 8 gusht dhe po kërkon zgjedhje të parakohshme duke u mbështetur në të dhënat e sondazheve se partia e tij ka përkrahjen më të madhe me 38 për qind, shkruan “The Guardian”.