Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është njeriu i duhur për ta realizuar procesin e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Dy liderët u takuan në kuadër të samitit të G7-ës në Francë.
I pyetur se cila është këshilla e tij për Brexit-in, presidenti amerikan tha: “Ai nuk ka nevojë për këshilla, ai është njeriu i duhur për këtë punë”, tha ai.
Trump gjithashtu foli për mundësinë e arritjes së marrëveshjes tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, për të cilën tha se do të jetë marrëveshja më e madhe e këtij lloji që këto dy vende e kanë pasur ndonjëherë.
Para takimit, Johnson kishte thënë se do ta shtrojë çështjen e mosmarrëveshjes tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës dhe të kërkojë nga presidenti amerikan që ta hapë tregun për prodhimet britanike.
Kur u pyet nëse aleatët po i bëjnë presion për t’u tërhequr nga lufta tregtare me Kinën, Trump tha: “Jo, aspak”. Ai shtoi se Kina ka përfituar qindra miliarda dollarë çdo vit dhe kjo është lejuar nga paraardhësit e tij, shkruan “The Guardian”.