Uragani “Dorian”, një nga më të fortët të regjistruar në Atlantik është përplasur me të gjithë forcën në Bahamas. Një zonë e madhe e Marsh Harbon, një qendër prej 6.000 personash në Ishujt Abaco, është nën ujë dhe banorët e dëshpëruar kërkojnë strehim pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar. Numërohen 13 mijë shtëpi të shkatërruara. Bilanci është të paktën 5 viktima, përfshirë një fëmijë 8-vjeçar që u mbyt pasi uji pushtoi shtëpinë e tij. Kryeministri Hubert Minnis: “Tragjedi historike, dëme të paprecedenta”.
Ministri i Jashtëm i ishujve Darren Henfield foli për “dëmet katastrofike” duke shtuar: “Ne kemi të dhëna për disa të vdekur, për trupa të parë në rrugët e ishujve të Abacos, por ne ende nuk jemi në gjendje të konfirmojmë këto indikacione derisa t’i shohim me sytë tanë”.
Gjendja në Grand Bahama, ku një pjesë e ishullit është nën ujë, është përcaktuar si “katastrofike”. Kjo gjë është konfirmuar nga Kwasi Thompson, ministër përgjegjës për Grand Bahama për qeverinë e Bahamas, duke raportuar dëmet e shkaktuara nga stuhia.