Libri i ri "Paralajmërimi", një portretizim kritik i presidentit Trump nga shkrimtari anonim

Premte, 08 November 2019 19:46

Një libër i ri, i pa publikuar ende, me titullin "Paralajmërimi" portretizon profilin publik më kritik të presidentit Trump që kur mori detyrën gati tre vjet më parë.

Trump është "si një 12 vjeçar në një kullë të kontrollit të trafikut ajror" thuhet në librin nga një autor pa emër.

Shkrimtari anonim e përshkruan veten si "një zyrtar të lartë në administratën Trump", i cili vendosi të mos publikojë emrin e tij për të mbajtur Trumpin në qendër të vëmendjes.

Autori është i njëjti person që shkroi një artikull opinionist në gazetën New York Times vitin e kaluar duke përshkruar sesi disa zyrtarë të lartë po përpiqen të mbrojnë vendin nga ajo që ai e quan një president impulsiv.

Sipas një kopje paraprake të librit të marrë nga gazeta The Washington Post, Presidenti Trump është mizor, i paaftë dhe i rrezikshëm.

Sipas librit "ai pengohet, ngatërrohet, irritohet lehtë dhe ka probleme në sintetizimin e informacionit, jo herë pas here, por rregullisht,".

Presidenti është krahasuar me një "12 vjeçar në një kullë të kontrollit të trafikut ajror duke shtypur butonat pa dallim", ndërsa avionët përpiqen të shmangin një përplasje.

Shkrimtari flet për ato që përshkruhen si komentet seksiste të Trumpit për gratë, duke komentuar veshjen dhe peshën e tyre.

Në një takim, presidenti dyshohet të ketë përqeshur me një theks hispanik për t'u ankuar për imigrantet që vinin nga Meksika, duke i quajtur ato të padobishme dhe duke thënë se nëse do të vinin me burra, burrat mund të përdoren për të mbledhur misër.

Trump është përshkruar gjithashtu si i paaftë për të udhëhequr vendin në një krizë, duke thënë se ai nuk dëgjon informacionet e inteligjencës dhe të sigurisë kombëtare dhe cilësohet si një njeri që komplimentohet me lehtësi, të cilin udhëheqësit e tjerë botërorë e konsiderojnë si "një njeri që influencohet lehtë".

Sipas librit "Paralajmërimi", zyrtarë të lartë të administratës kishin konsideruar një dorëheqje masive dhe thonë se Nënpresidenti Mike Pence ishte gati të mbështeste një shumicë të anëtarëve të Kabinetit, nëse ata do të përpiqeshin të largonin Trump përmes amendamentit të 25-të.

Nënpresidenti e mohon këtë, duke thënë se libri është "tmerrues" dhe tha se ai kurrë nuk ka dëgjuar askënd në Shtëpinë e Bardhë të fliste për një veprim të tillë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham e cilësoi librin si "një trillim" dhe "farsë", duke e quajtur shkrimtarin një "frikacak" që dëshiron të mbetet anonim.

Por autori thotë se shumë zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të administratës ndajnë pikëpamje jo të mira për Trump.

Shkrimtari gjithashtu thotë se ai ose ajo me qëllim shmang ngjarje specifike në hollësi për të mbrojtur identitetin e tij ose të saj.

Login to post comments