Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, do të vizitojë veriun e Anglisë të shtunën, pas festimeve për fitoren e madhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vendit.
Partia Konservatore e kryeministrit britanik, Boris Johnson, udhëheq bindshëm me 364 deputetë. Kjo do të thotë se Konservatorët kanë dhjetëra deputetë më shumë se shumica e nevojshme prej 326 ligjvënësish për të formuar qeverinë.
Johnson tha se shpreson që fitorja e tij do të mbyllë procesin e Brexit-it dhe do të fillojë rimëkëmbja. Partia Laburiste pësoi rezultatin më të dobët që nga viti 1930 duke siguruar 203 deputetë, ndërsa Partia Kombëtare e Skocisë 48 dhe Liberal-Demokratët 11.
Lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se kishte bërë “të pamundurën” për të marrë pushtetin, por këto zgjedhje kanë pasur në fokus të madh procesin e daljes nga blloku evropian, për të cilin ka bërë fushatë të madhe Johnson.
Qytetarët britanikë kanë votuar për Brexit-in në një referendum në vitin 2016, por realizimi i procesit është shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve politike në Britani.
Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar u mbajtën të enjten.
Këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se pesë vjet.
Johnson pritet të njoftojë për formimin e qeverisë të hënën derisa deputetët do të kthehen në ulëset e Parlamentit të enjten, për t’u betuar para mbretëreshës Elizabeta./REL