Aksidentet ajrore/ Shefi i “Boeing” jep dorëheqjen

Hënë, 23 December 2019 21:17

Boeing ka njoftuar se drejtori i tij ekzekutiv, Dennis Muilenburg, ka dhënë dorëheqjen. Lëvizja vjen më pak se një javë pasi prodhuesi i avionëve tha se do të ndalonte përkohësisht prodhimin e modelit 737 max në janar.

Prodhimi i avionëve ka vazhduar pavarësisht se modeli është ndaluar në tokë prej nëntë muajsh pas dy aksidentesh vdekjeprurëse.

“Bordi i drejtorëve vendosi që një ndryshim në lidership është i nevojshëm për të rikthyer besimin tek kompania dhe për të bërë përpara ndërsa përpiqemi të riparojmë marrëdhëniet me rregullatorët, klientët dhe të gjithë aksionistët e tjerë”, thuhej në një deklaratë të Boeing.

Më shumë se 300 persona humbën jetën kur dy avionë “Boeing” 737 max u rrëzuan në Indonezi dhe Etiopi pasi kishin raportuar probleme me një opsion të ri. E gjithë flota e avionëve 737 max është ndalur në tokë që nga marsi. Kompania shpresonte që avionët e saj të ktheheshin në fluturim në fund të këtij viti por rregullatorët amerikanë bënë të qartë se nuk do të certifikonin kthimin kaq të shpejtë në qiej. Që atëherë Boeing ka thënë se po rregullon softwerin dhe ka rishikuar procedurat e tij të kontrollit.

Zyrtarët e sigurisë ajrore që kanë hetuar aksidentet kanë identifikuar një sistem të kontrollit automatik në avion, si faktor në të dyja rastet. Boeing ka thënë se sistemi, që varet tek një sensor i vetëm, merr të dhëna të gabuara, që bëjnë që të anashkalohen komandat e pilotit dhe të shtyjnë avionin poshtë.

Login to post comments