Mediat greke kanë njoftuar para pak minutash se disa dogana greke në kufi me Turqinë janë mbyllur sot për shkak të përqëndrimit në anën turke, të një numri të madh njerëzish (emigrantë – refugjatë) që prisnin të hynin në Greqi.
Forcat greke të Policisë po përforcohen me trupa shtesë për të parandaluar hyrjen e tyre.
Sipas burimeve, Kryeministri grek Micotaqia ka njoftuar Kancelaren gjermane Angela Merkel për atë që po ndodh.
Masa për të mbyllur kufirin shihet si një reagim i ligjshëm dhe i justifikuar ndaj vendimin që ka marrë Turqia për të hapur kufijtë e saj dhe lejuar vërshimin e refugjatëve drejt vendeve të BE-së
Në përpjekje për të siguruar gatishmërinë më të lartë të mundshme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Greqisë, Gjeneral Lejtnant Kostandinos Floros ka shkuar në pikën kufitare Evros për të mbikqyruar situatën. Me atë është edhe Ministri i Mbrojtjes Qytetare.
Nga ana tjetër, Ministri i Politikave Detare dhe Ishujve, Janis Plakiotakis, ka shkuar në Mytilene.
Zhvillimet e fundit sipas mediave greke lidhen drejtpërdrejt me situatën në Siri dhe përpjekjen e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për të mbetur lojtari kryesor në Idlib, provincën në të cilën mbetën të vrarë më shumë se 33 ushtarë turq dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ajrore të Presidentit sirian Bashar al-Assad .