Pse pandemitë krijojnë teori konspirative?

Saturday, 11 Prill 2020 15:04

Nga Richard J.Evans
Teoritë e konspiracionit mbi koronavirusin janë përhapur aq shumë, sa që tani ato po bëjnë lajm në mediat kombëtare, dhe po provokojnë reagime publike nga ministrat e qeverisë. Më popullore mes tyre, duket të jetë ajo që e lidh pandeminë me përdorimin e teknologjisë celulare 5G.

Në fillim të këtij viti, qeveria britanike miratoi kërkesën e kompanisë kineze Huauei, për të furnizuar vendin me pajisjet për ndërtimin e rrjetit për 5G, pas një debati shumë të fortë publik, në të cilën kritikët, shumë prej tyre në të djathtën e Partisë Konservatore e kundërshtuan, me arsyetimin se ata besonin se kompania kishte lidhje të ngushta me qeverinë kineze.

Ku ndodhet qendra kërkimore e Huaueit? Në Vuhan. Dhe çfarë tjetër ndodhet aty? Instituti i Virologjisë, një qendër kërkimore e nivelit të lartë. Dhe ku u shfaq në fillim koronavirusi? Po pse pikërisht në Vuhan? Më pas nisën sulmet ndaj teknologjisë 5G.

Teoricienëve të konspiracionit, nuk iu desh shumë kohë që të krijonin hipotezën e tyre. Virusi u krijua nga njeriu në një laborator në Vuhan, si pjesë e një komploti kinez për të zhvilluar sisteme të luftës biologjike. Dhe ata po e përhapin virusin përmes antenave me frekuencë të lartë.

Virusi është krijuar enkas, për të dobësuar shumë sistemin imunitar të njeriut. Ose për të thithur oksigjen nga mushkëritë tona. Ai synon zvogëlimin e popullsisë së Perëndim, dhe shkatërrimin e ekonomive të tij.

Organizatat anti-5G, si “Stop 5G” në Britani me 27.000 mijë ndjekës në Facebook, pretendojnë se rrezatimi i antenave të këtij rrjeti po dëmton shëndetin e njerëzve, po ul pjellorinë e tyre, ndërsa kanë përqafuar teorinë e re të komplotit, si dëshmi të mëtejshme të rreziqeve të paraqitura nga sistemi i ri.

Në një intervistë të fundit televizive me “London Live”, teoricieni i njohur i konspiracioneve Dejvid Ajk, i është referuar një ”teknologjike elektromagnetike teje radioaktive”, që sipas tij e ka dëmtuar rëndë sistemin imunitar të të moshuarve.

Por autoritetet e shëndetësisë, kanë konfirmuar se nuk ekziston asnjë provë që kjo teknologji është e dëmshme për shëndetin e njeriut, apo që virusi është zhvilluar në një laborator. Teori të ngjashme të komplotit, bënë një tjetër pohim të pabazë disa dekada më parë, në lidhje me sëmundjen HIV- AIDS.

Dhe në Afrikë ka mijëra raste me koronavirus. Drejtori kombëtar i mjekësisë për Anglinë, Stefën Pouis, është shprehur:”Historitë mbi 5G, janë lloji më i keq i lajmeve të rreme”. Dhe fantazitë paranojake të teoricienëve të komplotit, kanë ndonjëherë pasoja të rënda në botën reale.

Gjatë fushatës presidenciale në SHBA në vitin 2016, një histori e fabrikuar nga një uebsajt në pronësi të supremacistëve të bardhë, pretendonte se zyrtarë të lartë të fushatës së Partisë Demokratike, drejtonin një rrjet satanik të abuzimit seksual me fëmijët, me qendër bodrumin e një picerie të njohur në Uashington.

Disa orë më vonë, në piceri u shfaq një i ri, që shtiu 3 herë më armë (fatmirësisht nuk plagosi njeri), duke kërkuar që të inspektonte bodrumin. Megjithatë, në atë piceri nuk kishte në fakt asnjë bodrum, dhe ai u arrestua nga policia. Pastaj, ajo teori konspirative u diskreditua nga policia e Uashingtonit.

Ndërkohë edhe teoria e komplotit që e lidh koronavirusin me rrjetin 5G, është përhapur nga media sociale në jetën reale. Disa përdorues të rrjeteve sociale, u frymëzuan nga kjo teori duke nisur të sulmojnë dhe dëmtojnë antenat 5G në Britani. Deri tani, janë djegur 6 antena nga Birmingemi në Belfast.

Nisur nga këto incidente, platformat e mediave sociale kanë hequr postimet që nxisin ose përshëndesin shkatërrimin e antenave të tilla. Ekspertët theksojnë se rrjetet e telefonisë celulare, janë thelbësore për koordinimin e luftës kundër pandemisë, ndaj sulmi ndaj tyre nuk është thjesht kundërproduktiv, por edhe i rrezikshëm.

Megjithatë kjo dukuri, është vetëm versioni i fundit i një fenomeni shumë të vjetër. Kur në Britani shpërtheu epidemia e kolerës në fillim të viteve 1830, pasi kishte goditur më parë India dhe e gjithë Evropa kontinentale, turma të zemëruara njerëzish nisën të sulmonin mjekët në rrugë, duke i akuzuar ata se po i shtronin të sëmurët në spitale me qëllim që t’i vrisnin, dhe më pas t’i përdornin si kadavra për diseksione në shkollat ??e anatomisë

Sëmundjet e reja dhe me një ndikim të madh në shoqëri, kanë prirjen të gjenerojnë teori konspirative. Pasi njerëzit e gjendur nën kërcënim, kuptojnë më mirë shpjegime lehtësisht të kuptueshme, dhe sidomos kur mjekësia, si në rastin e kolerës, duket se nuk është në gjendje të përballojë si duhet epideminë.
Teoritë e konsporacionit, u drejtohen njerëzve që kërkojnë një fajtor konkret për një katastrofë. Mentaliteti komplotist, refuzon të pranojë që ngjarjet e mëdha mund të ndodhin edhe pa nxitjen e njeriut. Teori të tilla, përhapen më shpejt dhe më gjerë sot për shkak të internetit.
Por struktura e tyre themelore, dhe mënyra e veprimit, nuk ndryshojnë shumë nga ato të dikurshme. Ajo që bie në sy tek teoritë e komplotit, është se sa kundërshtues janë mbështetësit e tyre më fanatikë ndaj provave shkencore apo mendimit të ekspertëve.
Ata formojnë një bashkësi të mbështetjes së dijeve alternative, duke forcuar bindjen e tyre se dinë më shumë se të tjerët, dhe duke mbetur kundërshtues ndaj çdo prove të vërtetë. Dhe këto teori hedhin shpesh dyshime mbi të huajt. Për shembull sëmundja e sifilizit në të gjithë Evropën, mendohet se u soll në kontinent nga Amerika nga ekuipazhi i eksploratorit të famshëm Kristofor Kolombi.
Ajo quhej “sëmundja franceze” në Gjermani, “sëmundja gjermane” në Poloni , “sëmundja polake” në Rusi, “sëmundja e të krishterëve” në Turqi, “sëmundja e turqve” në Persi etj. Në të njëjtën mënyrë, presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur koronavirusin “virusi kinez”. Rusët kanë akuzuar amerikanët se e kanë shpikur vetë atë, në mënyrë që të rritin fitimet e kompanive farmaceutike amerikane.
Ndërsa teoricienët e komplotit në një vend, e kanë drejtuar gishtin e fajit tek shkencëtarët dhe qeveritë e një vendi tjetër. Meqë pandemitë sipas përkufizimit përhapen në të gjithë globin, kudo ku ato mbërrijnë cilësohen se vijnë nga ndonjë vend tjetër. Nuk do të kalojë shumë kohë, para se nacionalistët dhe ksenofobët të fillojnë t’i përdorin këto teori, për të nxitur armiqësi ndaj të huajve.
Gjatë kësaj pandemie, njerëzit me origjinë aziatike kanë qenë subjekt i abuzimit verbal dhe nganjëherë fizik në shumë vende, a thua se të gjitha ata sapo kishin mbërritur nga Vuhani. Në SHBA, u regjistruan mbi 1 mijë incidente të tilla në pak javë, gjatë muajve shkurt dhe mars. Edhe këtu ekzistojnë disa paralele historike, përfshirë ato të kohëve të fundit.
Gjatë viteve 2003-2008, qeveria e presidentit Thabo Mbeki në Afrikën e Jugut, refuzoi ilaçet antiretrovirale, duke e cilësuar prodhimin e tyre, pjesë të një komploti të kompanive farmaceutike perëndimore me synim rritjen e fitimeve të tyre, bazuar në stereotipet raciste neo-kolonialiste, dhe për këtë arsye penguan shpërndarjen e tyre.
Anëtarët e qeverisë së tij, e mohuan faktin që HIV përhapet përmes kontaktit seksual, dhe në vend të barnave rekomanduan mjekime tradicionale bimore. Për pasojë, qindra mijëra njerëz në Afrikën e Jugut vdiqën nga SIDA.
Shumë më larg në kohë në vitin 1349, kur Vdekja e Zezë – murtaja bubonike, e përhapur nga bakteret e bartura nga pleshtat – përfshiu Evropën, duke vrarë më shumë se gjysmën e gjithë popullsisë, pakica kryesore fetare në Evropën Perëndimore, hebrenjtë, u akuzua gjerësisht për helmimin e puseve të ujit.
Në shumë vende, mbi të gjitha Rineland të Gjermanisë, ata u masakruan me mijëra. Në Strasburg, disa qindra prej tyre u dogjën të gjallë. Kur kolera goditi SHBA-në në fillim të viteve 1830, për të u fajësuan emigrantët irlandezë. Teoritë e komplotit, kanë shoqëruar sëmundjet epidemike përgjatë historisë.
Në këtë kuptim, histeria ndaj 5G nuk është asgjë e re. Por e reja është që sot ne jemi më të mirë-pajisur se kurrë, për ta kundërshtuar atë me njohuri shkencore dhe informacion mjekësor të besueshëm. / “New Statesman” – Bota.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...