A punonte “pacienti zero” në laboratorin kinez?/Ja ç’thonë shkencëtarët.

E mërkurë, 22 Prill 2020 08:17

Ka kaluar mbi katër muaj që kur Kina raportoi një shpërthim të pneumonisë virale në provincën Hubei, koronavirusi është shtrirë pothuajse në çdo cep të botës, por ende nuk ka një përgjigje të qëndrueshme se nga ku filloi e gjithë kjo.

Kina ka thënë se personat e parë të infektuar e morën virusin nga kafshët e gjalla që shiten në një treg në Wuhan, qyteti kryesor i provincës Hubei. Por që kur dolën në dhjetor të vitit të kaluar njoftimet e para publike për një shpërthim viral të pazakontë, shumë vëzhgues kanë vërejtur gjithashtu se laboratori i parë biologjik i nivelit të sigurisë 4 të Kinës, i cili kryen studime mbi koronaviruset e kafshëve, ndodhet vetëm disa kilometra larg tregut të gjësë së gjallë.


A është thjesht një koinçidencë? Apo luajti laboratori në fjalë një rol më substancial në këtë shpërthim? Pa prova të qëndrueshme, spekullimet po mbushin boshllëkun. Në vazhdim janë gjërat që dihen deri më tani.

Shqetësimet amerikane për sigurinë

I strehuar në rrethinat kodrinore të Wuhanit, laboratori i sigurisë së lartë biologjike është i pari i këtij lloji në Azi. Aty gjenden mbi 1500 modele virusesh.

Laboratori ka përbërë prej dy vitesh një burim shqetësimi për zyrtarët amerikanë.

Dy kabllograme të Departamentit të Shtetit tregojnë se si zyrtarë të ambasadës amerikane në Pekin bënë disa vizita tek ky objekt kërkimor dhe i dërguan Uashingtonit dy paralajmërime zyrtare në fillimin e vitit 2018, për sa i përket masave të pamjaftueshme të sigurisë në këtë laborator. Në atë periudhë, shkencëtarët po zhvillonin studime të rrezikshme për koronavirusët nga lakuriqët e natës, njoftonte gazeta The Washington Post
Ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të shërbimeve amerikane të zbulimit u thanë gjithashtu mediave të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, se komuniteti i zbulimit po shqyrton nëse koronavirusi u shfaq aksidentalisht nga laboratori, apo nëse “pacienti zero” punonte atje.

Megjithatë, burime të zbulimit i thanë Zërit të Amerikës se komuniteti i shërbimeve amerikane të zbulimit “nuk kanë rënë kolektivisht dakort për një teori të vetme” për sa i përket origjinës së koronavirusit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po hetojnë, zyrtarët thonë se mungesa në vazhdimësi e transparencës nga qeveria kineze, ndër të tjera edhe për Institutin e Virologjisë së Wuhanit, ngre pikëpyetje se si filloi epidemia. Zyrtarët akuzojnë gjithashtu Pekinin se ende nuk po i ndan të gjitha të dhënat që ka me komunitetin ndërkombëtar.

Shqetësime sigurie nga vetë kinezët

Kina refuzon me forcë mundësinë që virusi ta ketë patur fillesën në laboratorin e sigurisë biologjike, në vend të transmetimit nga kafshët tek njeriu në Wuhan. Sidoqoftë, autoritetet kineze nuk kanë ofruar prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimin e tyre.

Madje, ekziston evidencë kineze se laboratori kishte probleme sigurie. Zëri i Amerikës ka gjurmuar njoftimet e mediave shtetërore kineze ku flitet për incidente sigurie të pikasura nga inspektorët e qeverisë kineze, si dhe për aksidente të njoftuara që patën ndodhur kur punonjësit përpiqeshin të kapnin lakuriqët e natës të destinuar për punën kërkimore.

Rreth një vit përpara shpërthimit të koronavirusit, një vlerësim sigurie nga një ekip i qeverisë kineze konstatoi se laboratori nuk plotësonte standartet e vendit në pesë kategori.

Dokumenti i gjendur në faqen zyrtare të laboratorit thotë se pas një inspektimi të rreptë dhe të detajuar, ekipi dha një vlerësim të lartë për menaxhimin në tërësi të sigurisë së laboratorit. “Në të njëjtën kohë, ekipi inspektues paraqiti gjithashtu opinione për korrigjime të mëtejshme për pesë aspektet e pazbatuara dhe dy konstatime të lindura gjatë vëzhgimit“, thuhet po aty.

Përveç problemeve në laborator, media shtetërore kineze gjithashtu raportoi se inspektorët i kanë gjykuar të pakujdesshëm shkencëtarët në menaxhimin e lakuriqëve të natës.

Njëri prej shkencëtarëve që punonte në Qendrën e Wuhanit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i përshkruante medias shtetërore kineze se si ishte sulmuar njëherë nga lakuriqët e natës dhe se kishte përfunduar me gjakun e lakuqirëve në lëkurën e tij.

Në një tjetër incident, i njëjti shkencëtar harroi të vishej me mbrojtëset e duhura dhe urina e një lakuriqi i kishte rrjedhur “si shiu nga maja e kokës” së tij, njoftonte agjensia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Kina, pa një agjensi të vetme për zbatimin e masave të sigurisë biologjike

Qeveria kineze ka mbështetur prej kohësh bioteknologjinë, por më së fundmi udhëheqësi kinez Xi Jinping e ka bërë sigurinë në laboratore një prioritet kombëtar. Ai tha gjatë një takimi të udhëheqjes kineze në Pekin shkurtin e vitit të kaluar se vendi duhej të përshpejtonte miratimin e ligjit të tij të parë për sigurinë biologjike, ku do të përcaktoheshin politikat kombëtare për menaxhimin pathogjenëve të rrezikshëm. Një projektligj u paraqit në muajin tetor tek Komiteti Drejtues i Kongresit të Popullit, organi më i lartë legjislativ.

Një shqyrtim i pavarur amerikan i sigurisë biologjike të Kinës në vitin 2016 konstatoi se vendi kishte “mungesa zyrtarësh, ekspertësh, dhe shkencëtarësh të specializuar për sigurinë biologjike në laboratore“.

Beth Willis, ish-Kryetarja e Komitetit Këshillimor të Komunitetit të Laboratorëve, me seli në Maryland, tha se rreziku më i madh për publikun nga laboratorët që strehojnë patogjenë të rrezikshëm janë kur punëtorët e laboratorit në mënyrë të paditur infektohen dhe më pas shkojnë në komunitet.

“Kjo në të vërtetë ka ndodhur më shumë se një herë nga laboratorët e USAMRIID (Instituti i Kërkimeve Mjekësore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Sëmundjeve Infektive) në Fort Detrick, Maryland. Ndërsa punëtori u sëmur, ose ishte shtruar në spital me një patogjen vdekjeprurës, ai patogjen nuk ishte infektues nga njeriu tek njeriu, dhe një shpërthim nuk ndodhi,” tha ajo në një email per Voa.

“Aksidentet ndodhin rregullisht. Kemi parë disa raste të laboratorëve të profilit të lartë vitet e fundit ku kanë ndodhur aksidente ose janë bërë gabime. Për shembull, në vitin 2014 në CDC (Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve) ka pasur gabime të sigurisë që përfshijnë virusin Ebola, antraksin dhe gripin e shpendëve, dhe ka patur gabime në NIH (Institutet Kombëtare të Shëndetit) që përfshijnë virusin variola i cili shkakton linë“, tha Dr Filippa Lentzos, një eksperte e biosigurisë në King’s College të Londrës.

“Këto janë vetëm maja e ajsbergut,” tha zonja Lentzos.

Hetimet kineze mbi origjinën e COVID-19

Ndërsa diplomatët dhe zyrtarët kinezë kanë paraqitur një larmi teorish konspirative se ku filloi shpërthimi, ministria e jashtme e vendit ka këmbëngulur që kontrolli duhet të lihet ekspertëve.

“Kina ka përmendur shumë herë që origjina e virusit është një pyetje shkencore, e cila duhet të vlerësohet nga shkencëtarët dhe ekspertët mjekësorë dhe nuk duhet të politizohet,” tha Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, në një konferencë për shtyp të hënën.

Por, vetë zyrtarët kinezë u kanë ofruar pak të dhëna shkencëtarëve që t’i ekzaminojnë, dhe kanë mbajtur laboratorin dhe pjesët kyçe të Wuhanit praktikisht të mbyllura për hetuesit e huaj.

Raporti i përbashkët me Kinën i Organizatës Botërore të Shëndetit botuar në fund të shkurtit, mbi origjinën e mundshme të virusit, renditi tre hetime të vazhdueshme mbi origjinën e virusit, asnjë prej të cilave nuk dukej se e konsideronte laboratorin si një vektor të infeksionit.

Ekspertët e virologjisë të intervistuar nga Zëri i Amerikës besojnë se studiuesit nuk duhet të përjashtojnë mundësinë që virusi të hyjë në popullatën njerëzore për shkak të një aksidenti laboratorik.

“Një komponent kryesor i projektit për virusin e ri në Institutin e Virologjisë së Wuhanit kishte të bënte me infeksionin e kafshëve laboratorike me viruse të reja të lakuriqëve,” tha Richard H. Ebright, profesor i biologjisë kimike në Universitetin Rutgers.

“Prandaj, mundësia e një aksidenti laboratori përfshin dy variante: (1) skenarët me transmetim të drejtpërdrejtë të një virusi lakuriqi tek një punëtor laboratori, dhe (2) skenarë me transmetimin e një virusi të lakuqirit tek një kafshë laboratorike, si p.sh. një brejtës, dhe pastaj te një punëtor laboratori“.

Laboratorët e sigurisë biologjike të nivelit 4, si ai në Wuhan, janë laboratorët më të sofistikuar izolues që janë krijuar për të punuar me patogjenët më vdekjeprurës në botë. Sidoqoftë, modeli i laboratorit nuk mund të ndreqë trajnimin e dobët ose gabimet njerëzore.

 

“Ky rrezik rritet, nëse laboratori po kultivon një virus që është në gjendje të infektojë njerëzit, veçanërisht përmes rrugëve të frymëmarrjes, pasi atëherë çdo pikëz e shkaktuar nga një spërkatje e thjeshtë ose aerosolizimi i lëngut mund të thithet në mënyrë të paditur dhe të infektojë operatorin“, tha Dr. Nikolai Petrovsky, profesor në Universitetin Flinders dhe Drejtor i Kërkimit në Australi.

“Në mënyrë të ngjashme, nëse ata mbajnë doreza të ndotura dhe nuk i heqin siç duhet, kjo mund të shkaktojë infeksion aksidental. Së fundmi, nëse materiali i mbeturinave ose trupat e kafshëve të infektuara nuk digjen siç duhet në temperaturë të lartë, atëherë kjo mund të shkaktojë ndotje duke përfshirë, për shembull, nëse mbeturinat hidhen në një grumbull plehrash që frekuentohen nga minjtë ose macet etj.”, tha Petrovsky në një email për Zërit të Amerikës.

Profesori i Universitetit Rutgers, Ebright tha në një email për Zërin e Amerikës se shkeljet e mëparshme të sigurisë në laborator tregojnë se është një burim i mundshëm infeksioni që duhet të merret seriozisht.

“Provat dokumentare tregojnë se projektet për virusin e ri të lakuriqëve Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Wuhan, si dhe në Institutin e Virologjisë së Wuhanit përdorën standarde të bio-sigurinë që do të paraqesnin rrezik të lartë të infeksionit të stafit të laboratorit pas kontaktit me një virus që ka vetitë e transmetimit të virusit të të epidemisë“, tha Ebright.

Modifikuar më E mërkurë, 22 Prill 2020 08:30
Login to post comments