FBI-ja dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, kanë paralajmëruar se hakerët që përkrahen nga qeveria kineze, mund të tentojnë të vjedhin punën e hulumtuesve amerikanë që po zhvillojnë vaksinën dhe ilaçet kundër COVID-19.
Siç raporton AP, agjencitë e sigurisë kanë paralajmëruar për rrezikun potencial. Një paralajmërim të ngjashëm ata e dhanë dhënë në fillim të këtij muaji.
Në një komunikatë të përbashkët thuhet se përpjekjet e Kinës paraqesin “kërcënim serioz” për sektorin e shëndetësisë, farmaceutikës dhe atë hulumtues”.
“Tentativat që Kina të vërë në shënjestër këta sektorë paraqesin kërcënim për vendin tonë në kohën e pandemisë së COVID-19”, thuhet ndër tjera në deklaratë.
Hakerat, hulumtuesit por edhe studentët, sipas administratës amerikane, janë më aktiv në vjedhjen e informacioneve brenda instituteve universitare dhe laboratorëve publikë, raporton France Press.
FBI dhe Agjencia për Siguri Kibernetike kanë njoftuar se do të publikojnë detaje teknike të këtyre kërcënimeve, duke kërkuar nga organizatat të raportojnë për çfarëdo aktiviteti të dyshimtë.
Qeveria amerikane prej kohësh ankohet që Kina po shfrytëzon hakimin që të vjedhë të dhëna ekonomike dhe akademike.
Ky paralajmërim vjen në kohën kur janë rritur tensionet midis qeverisë amerikane dhe asaj kineze, për shkak të origjinës së pandemisë.