Muzeu Aja Sofia në Stamboll, i ndërtuar si Bazilikë nga bizantinët në vitet 500, kryqendra e civilizimit botëror për më shumë se 1500 vjet, duket se po shkakton një përplasje të fortë në arenën ndërkombëtare, një përplasje me karakter sa kulturor aq edhe fetar.
Kjo ndërtesë monumentale e cila simbolizon paqen dhe bashkëekzistencën e kulturave dhe besimeve të ndryshme, rrezikon të kthehet në një mollë sherri dhe një përplasje mes qytetërimesh.
Por cili është shkaku?
Të premten, e 10 korrikut 2020, Gjykata e lartë turke, me një dekret presidencial anuloi një dekret qeveritar të vitit 1934, përmes së cilit ish-katedralja bizantine e Shën Sofisë ishte kthyer në një muze. Gjykata vendosi, se dekreti ishte i paligjshëm, duke i hapur rrugë kthimit të ndërtesës në xhami.
Një vendim i tillë është pritur me entuziazëm nga turqit, por përtej kufijve, ndezi kritika të ashpra që shkuan deri në kërcënime ndaj Turqisë.
SHBA, Bashkimi Evropian dhe UNESCO u shprehën hapur kundër këtij vendimi dhe kërkuan ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mospërvetësimin e saj.
Ndërsa nga ana tjetër Këshilli Botëror i Kishave, dhe shteti grek me sensitivitet fetar, e cilësuan si një sfidë të hapur për të gjithë botën e qytetëruar e veçanërisht ndaj ortodoksisë.
Reagimi i parë erdhi nga Greqia. Ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, kërcënoi se çështja do të diskutohet në Bruksel dhe se Greqia do t’i kërkojë Bashkimit Evropian të marrë masa shumë të forta kundër Turqisë.
“Çështja e Shën Sofisë nuk është Greko-Turke, por globale. Eshtë çështje e shfuqizimit të rregullave dhe mosrespektimit të tyre që shqetësojnë komunitetin botëror. Greqia do t’i kërkojë Bashkimit Evropian të ketë një listë të masave shumë të forta kundër Turqisë, në rast se Turqia shkel të drejtat sovrane të Greqisë.”, tha Dendias.
Për patriarkun Bartolomeo të Konstantinopojës, lideri i të gjitha kishave ortodokse, një lëvizje e tillë do të mbjellë përçarje të mëdha dhe do të hedhë miliona të krishterë anembanë botës kundër myslimanëve.
“Për nga shenjtëria e saj, Shën Sofia është qendra ku përqafohen Lindje dhe Perëndimi. Kthimi i saj në kult islamik, do të sjellë një krisje mes këtyre dy botëve”, tha Bartolomeo.
Edhe Kisha ortodokse ruse, lëshoi një apel të fortë kundër shndërrimit të Shën Sofisë, duke e përkufizuar vendimin si një “goditje të rëndë për ortodoksinë botërore dhe se kjo ngjarje mund të ketë pasoja për mbarë civilizimin.
Për herë të parë edhe Vatikani mori një pozicion zyrtar në lidhje me këtë çështje.
“Mendimet e mia shkojnë në Stamboll, janë për Shën Sofinë. Më vjen shumë, shumë keq për të”, tha Papa Francesku
Kritika të ashpra kanë ardhur edhe nga Bashkimi Europian, ku i bëri thirrje qeverisë turke që ta rishikojë vendimin e marrë, pasi mund të nxisë konflikte fetare dhe mund të cojë në përshkallëzim të situatës mes grupeve të interesit.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Joseph Borrell tha se, Këshilli dënon vendimin turk për të kthyer në Xhami një monument të tillë emblematik si Aja Sofia.
“Ky vendim do të sjellë pashmangshëm mosbesim, do të mbjellë mosmarrëveshje në bashkësitë fetare dhe do të minojë përpjekjet tona për dialog dhe bashkëpunim. Ka një mbështetje të gjerë për t’i bërë thirrje autoriteteve turke të rishqyrtojnë dhe rrëzojnë këtë vendim”, tha Borrell.
Pas takimit me Borell ka folur edhe Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias:
“Me kërkesën e Greqisë, pati një konsensus të gjerë për të hartuar një listë të masave të mëtejshme nëse Turqia vazhdon me sjelljen e saj. Përshkallëzimi i shkeljeve turke dhe autoritarizmit të Turqisë ishin në qendër të diskutimit tonë. Kishte një dënim të fortë për shndërrimin e Shën Sofisë në një xhami. Edhe Turqisë i është kërkuar të rishqyrtojë dhe të ndryshojë vendimin e saj”, tha Dendias.
Nga ana tjetër, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu tha, se nëse BE merr vendime ndaj Turqisë, Turqia do t’ kundërpgjigjet.
“Në rast se BE merr vendime shtesë kundër Turqisë nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveçse të përgjigjemi”, tha Çavushoglu
Ministri turk, theksoi se kundërshton fuqimisht komentet rreth vendimit për hapjen e Ajasofjes si xhami, sipas tij askush nuk mund të ndërhyjë në të drejtën e sovranitetit të Turqisë.
Pas kësaj menjëherë ka reaguar Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-S, Audrey Azoulay, duke thënë se ndjen keqardhje të thellë për vendimin e autoriteteve turke, i cili u mor pa diskutim paraprak, dhe kërkoi që të ruhet vlera globale e Trashëgimisë Botërore.
“Hagia Sophia i takon Zonave Historike të Konstandinopojës, një pronë e regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Hagia Sophia është një kryevepër arkitekturore dhe një dëshmi unike për ndërveprimet midis Evropës dhe Azisë ndër shekuj. Statusi i saj si një muze pasqyron natyrën globale të trashëgimisë së saj dhe e bën atë një simbol të fuqishëm të dialogut.”, tha Azoulay.
Por Presidenti Turqisë Rexhep Erdogan nuk mendon kështu, në një dalje publike ai tha se dyert e xhamisë do të jenë të hapura për këdo, duke ruajtur trashëgiminë e përbashkët kulturore të njerëzimit.
“Dyert e Shën Sofisë do të jenë të hapura për turqit, të huajt, myslimanët dhe jomyslimanët, siç është rasti me të gjitha xhamitë e tjera. Unë i ftoj të gjithë të respektojnë vendimet e marra nga organet gjyqësore dhe ekzekutive të vendit tim mbi Shën Sofinë”, tha Erdogan.
Falja e parë e myslimanëve në Aja Sofia do të mbahet më 24 korrik.
SHQIPËRI
Jashtë këtij debati nuk kanë qëndruar edhe klerikët në Shqipëri. Kryepeshkopi Janullatos e cilëson veprim tragjik, shndërrimin e muzeut Shën Sofia të Stambollit në xhami, sipas tij, ky veprim minon shpresën më të madhe të epokës sonë, që është bashkekzistenca e feve dhe qytetërimeve.
“Ky vendim bën pjesë në ato veprime tragjike, të cilat minojnë shpresën më të madhe të epokës sonë, që është bashkekzistenca e feve dhe qytetërimeve.
Ky vendim na kthen pas, në aspekte të errëta të historisë. Një vend si Turqia, që dëshiron të jetë pararojë, zgjedh rolin e praparojës së vonuar kulturore.
Është mëkat edhe gabim kur vaji i fesë përdoret për të ndezur dhe për t’i shërbyer qëllimeve nacionaliste. Qëllimi fisnik i fesë është të qetësojë plagët dhe të paqësojë shpirtrat e njerëzve.”
Anastas Janullatos.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë
Vendimi i shtetit turk është komentuar edhe nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot George Frendo.
“Ky vendim nuk i shërben sigurisht atyre vlerave të bashkëjetesës dhe të ruajtjes së disa parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Duke qenë se Shën Sofia i përket trashëgimisë botërore do të duhej të merreshin vendime të bashkëndara e ai objekt të mbetej i tillë, i hapur dhe i vizitueshëm nga të gjithë e duke u përkitur të gjithëve”.
Imzot George Frendo
Kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit
Ndërsa nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nuk ka patur asnjë reagim zyrtar.
HISTORIA E SHËN SOFISË
Por cila është historia e Shën Sofisë dhe ç’ka e bën atë kaq të rëndësishme?
Në një intervistë për News24, Drejtori i Arkivit të Shtetit Ardit Bido, sqaron se Shën Sofia, ka një rëndësi të madhe historike si një vend takimi i kulturave dhe i besimeve fetare Abrahamike.
“Bazilika e Shën Sofisë është e lidhur ngushtësisht me Stambollin. Stambolli dhe Shën Sofia kanë të njejtin element të përbashkët, kanë qenë qendra e botës për shumicën e periudhës së ekzisencës së tyre. Sic Bizanti në fillim, pastaj Kosandinopoja dhe tashmë Stambolli, ka qenë kryeqytet i Perandorisë Romake, kryeqytet i Perandorisë Bizantine, kryeqytet i Perandorisë Osmane, ashtu ndjek dhe një rrjedhmshëri të tillë edhe bazilika e Shën Sofisë, e krijuar në vitet 500, që ishte katedralja krysore e Krishtërimit për një mijë vjet, në fillim e krishtërimit të përbashkët pastaj në 1054 kur ndahet ortodoksia nga katolicizmi, i përket ortodoksisë pastaj me pushtimin latin të kostandinopolit, kthehet në një bazilikë katolike, pastaj sërish, ortodokse, qendër e patriarkanës së kostandinopojës dhe së fundmi me pushtimin Osman kthehet në Xhami, deri në vitet 1930 ku qeveria turke, me Mustafa Kemal Ataturkun e kthen në një muze, duke treguar këte elementin që është një përvijuese bashkë me Stambollin, e një civilizimi kulutor që përshkon për 1500 vjet atë qytet dhe e nje kryqëzimi të feve kryesore Abrahamike. Qoftë të Ortodoksisë, Katolicizmit apo Islamit.”
Sipas Bidos, çështja duhet të na interesojë edhe ne si shqiptar, edhe për vetë faktin se ajo bazilikë është ndërtuar nga një Ilir, siç ishte Justiniani, Perandori i Bizantit.
“Eshtë pak larg nga ne në distancë, por duhet të na interesojë sepse është pjesë edhe trashëgimisë tonë. Jo vetëm që kemi qenë pjesë e Perandorisë Bizantine, Romake dhe asaj Osmane, jo vetëm që ne jemi një pjesë të krishterë dhe një pjesë myslimanë, por edhe për faktin që është ndërtuar nga një shqiptar, duhet të ishte pjesë e interest tonë.”
“Duhet të theksojmë një fakt, ajo Bazilikë është ndërtuar nga një Ilir, ka qenë Justiniani ai që e e ka ndërtuar, ashtu si edhe kishën më të rëndësishme që është në Jeruzalem, që është po ashtu kisha e dytë sot më e rëndësishme në botë është ndërtuar po nga Justiniani, ashtu sikurse edhe Kodikët e Purpërt që ne kemi dhe që janë pasuri botërore, po ashtu janë nga Justiniani. Prandaj duhet ta theksojmë forcërisht edhe këtë moment, qoftë edhe për ta ditur shqitarët që dëgjojnë për kisha e xhami në mbarë botën dhe nuk e kuptojnë që ne shqiptarët kemi një kontribut shumë të qenësishëm në këtë drejtim.”
I pyetur se përse ka pasur kaq shumë reagime nga ndërkombëtarët, Bido tregon se ekziston frika e përvetësimit nga njëra palë, ç’ka do bënte të vështirë aksesimin e saj, si dhe frika e një dëmtimi i mundshëm i atyre elementeve arkitekturor dhe historik që ka ky objekt.
“Nëse do të duam ta themi me një fjali, ai objekt simbolizon qendrën e botës. Në këtë këndvështrim ekziston frika se një objekt i tillë i trashëgimisë kulturtore botërore mundet të përvetësohet në vitin 2020 nga një pjesë e botës dhe kjo lloj frike nuk duhet të realizohet në asnjë lloj forme. Të shkuarit në Shën Sofi nuk duhet të jetë një element i të qenit i një feje të caktuar. Shën Sofia duhet ta ketë atë elementin diakronik të vetin si vendi i pikëtakimit të qytetërimeve dhe vendi ku pavarësisht fesë individuale është e aksesueshme për të gjithë.”
“Me vendimin e fundit të shtetit turk, shihet me dyshim nga perëndimi se mundet që të thyhet kjo lloj tradite e mirë e kësaj ndërtesë unikale botërore.”
“Një dëmtim ndoshta i atyre pak elementëve që kanë mbetur që nga shekulli 12 pas një prej restaurimeve të fundit të Perandorisë Bizantine që ka ende gjurmët e asaj pjese të historikut të saj, kjo është frika që shprehet sot dhe kjo është arsyeja që në vitin 1934 u vendos të ishte një muze. Pra një vend i pikëtakimit i kulturave dhe e e aksesueshme nga të gjithë dhe krenari për të gjithë njëherazi.”
Nga ana e tij Bido preferon ta shohë më tepër si çëshjte me ndjeshmëri kulturore se sa fetare dhe beson se edhe në këtë rast do arrihet të gjendet gjuha e përbashkët pa cënuar asnjë palë.
“Sensitivitet mbi aksesueshmërinë dhe mos përvetësimin. Këtu qëndron sensiviteti nuk duhet parë në sensin e radikalizmave. Përballë kemi një vend Sovran që ka të drejtën e tij për të vëndosur, dhe përballë kemi Unescon dhe elemente të trashëgimisë kulturore që ka sensitivitet kulturor dhe këtu besoj se do gjendet pika e përbahskët e ruajtjes së këtyre sensiviteteve.”
“Unë nuk kam frikë se nuk do gjendet një gjuhë e përbashkët dhe kam përshtypjen se do gjendet gjuha e përbashkët për të ruajtur sensivitetet e shumta që ka ajo ndërtesë monumentale.”
Zërat se Presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan po e përdor Aja Sofian për nacionalizëm politik, janë të shumtë, dhe nëse është kështu duket se ia ka arritur, duke parë entuziazmin e popullit turk me të cilin e pritën këtë vendim.
Por a rrezikon të kthehet Shën Sofia në një përplasje mes qytetërimesh? Apo edhe kësaj here do t’i mbijetojë konfliktit, dhe do të vazhdojë të mbetet simbol i paqes dhe bashkëjetesës?