Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, i njohur me shkurtesën KFOR, thotë se më 7 gusht, në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodovc.
“Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë Vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës kufitare administrative”, thuhet në një njoftim të KFOR-it
Mediat në Kosovë më 7 gusht raportuan për hyrjen e forcave serbe në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Për këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se organet kompetente janë duke hartuar një raport të detajuar, duke shtuar se “veprimet tona do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”.
KFOR-i thotë se në mënyrë rutinore kryen patrullime të tilla përgjatë vijës kufitare që shtrihet rreth 350 kilometra, por sipas këtij misioni, kjo vijë nuk është e shënjuar dhe e përcaktuar mirë.
“Vija kufitare administrative shtrihet rreth 350 kilometra dhe nuk është e shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta. Ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe lëvizin përgjatë Vijës kufitare administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.?
Lidhur me rastin në Komunën e Kamenicës, Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, tha se njësitet policore në Karaçevë, nuk kanë hasur ndonjë njësi apo siç është thënë për ushtri të Serbisë.
“Pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar te vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë. Njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zonë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha për Radion Evropa e Lirë se janë njoftuar nga KFOR-i se patrullimet e Ushtrisë serbe në fshatin Karaçevë, janë bërë në bashkëpunim me KFOR-in.
Megjithatë, edhe kjo formë e patrullimit, thotë Kastrati, është e papranueshme për Kosovën.
“Unë i jam drejtuar me një shkresë presidentit të Kosovë (Hashim Thaçi), kryeministrit (Avdullah Hoti), dhe ministrave të linjave lidhur me rastin në Karaçevë dhe pastaj kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme (Agim Veliu) kanë kontaktuar me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it (Michele Risi). Pastaj ata kanë kontaktuar edhe me mua dhe na kanë thënë që ka qenë një kontrolli përbashkët i KFOR-it me Ushtrinë e Serbisë, që këto kontrolle mendohet të jenë rreth vijës kufitare. Por, e vërteta është se dje kanë hyrë qindra metra brenda territorit të Kosovës në dy fshatra: Karaçevë e Epërme dhe Karaçevë e Poshtme”, thotë Kastrati.
Ai shtoi se edhe kjo formë e patrullimit me KFOR është e papranueshme dhe nuk duhet përsëritet më.
“Unë i kam kërkuar edhe KFOR-it që nuk duhet të përsëriten më këto gjëra dhe forcat serbe nuk duhet të hyjnë brenda territorit të Kosovës apo vendbanimeve ku frekuentohen nga qytetarët e moshave të ndryshme”, tha Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, misioni i KFOR-it thotë se në përputhje me mandatin që ka, do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët për të forcuar bashkëpunimin, si me organet e sigurisë së Kosovës dhe po ashtu edhe me Forcat e Armatosura serbe./REL/