Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka zgjedhur senatoren Kamala Harris si kandidate për nën-presidente në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Biden, që ka shërbyer si nën-president gjatë udhëheqësisë së ish-presidentit amerikan, Barack Obama, ishte zotuar se do të përzgjedhte një grua për pozitën e nën-presidentes.
Biden ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se lajmëron me nderin më të madh përzgjedhjen për pozitën e nën-presidentes, njofton Radio Evropa e Lirë.
Ai e ka cilësuar senatoren Harris si luftëtare të guximshme dhe një nga shërbyeset më të mira të SHBA-së.
Edhe vetë senatorja Harris ka thënë se është e nderuar që do të garojë bashkë me Bidenin.
“Joe Biden mund të bashkojë popullin amerikan sepse ka kaluar jetën e tij duke luftuar për neve. Si president, ai do të krijojë që Amerikë që jetëson idealet tona. Unë jam e nderuar t’i bashkohem si kandidate për nën-presidente dhe do të bëjë gjithçka që mundem për ta bërë atë komandantin tonë të përgjithshëm”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Ajo është gruaja e parë amerikane me ngjyrë që do të garojë për këtë pozitë.
Harris, dikur rivale e Bidenit në garën për pozitën kryesore në Shtëpinë e Bardhë, është konsideruar për kohë të gjatë si politikane që do të mund të garonte me ish-nënpresidentin amerikan.
Ish-Prokurorja e Përgjithshme e Kalifornisë ka bërë thirrje për reforma policore në kohën e protestave kundër-racizmit javë më parë në SHBA.
Biden ndërkohë do të përballet me presidentin aktual amerikan, Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, do të vazhdojë të garojë me Trumpin për një mandat të dytë.
Harris, 55-vjeçare, që fillimisht është parë si figurë që rritej shpejt brenda Partisë Demokratike, pati hequr dorë nga gara për presidente në dhjetor të vitit të kaluar.
Kush është Kamala Harris?
Kandidatja demokrate ka lindur në Kaliforni nga dy prindër imigrantë: nëna indiane dhe babai nga Xhamajka.
Ajo ka studiuar në Universitetin Howard, një prej institucioneve arsimore më të njohura të studentëve me ngjyrë.
Ajo e ka përshkruar kohën e kaluar atje si një prej përvojave më edukuese të jetës së saj.
Harris e përmend shpesh se asnjëherë nuk e ka pasur problem identitetin e saj dhe e përshkruan veten vetëm si “amerikane”.
Ajo pati thënë për Washington Post më 2019 se politikanët nuk duhet të kategorizohen në bazë të ngjyrës apo të kaluarës së tyre.
“Unë mendoj se: Jam kjo që jam. Jam në rregull me këtë gjë. Ndoshta juve ju duhet kohë, mirëpo unë jam në rregull”, pati deklaruar ajo.
Reagimet për përzgjedhjen e senatores Harrris
Duke komentuar kandidaturën e senatores Harris, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ajo ka thënë shumë deklarata që nuk janë të vërteta.
“Ajo përkrah shumë rritjen e takasve”.
“Ajo dëshiron të zvogëlojë fondet për ushtrinë tonë në nivelin që askush nuk mund ta besojë”, ka thënë Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Kur është pyetur për ndonjë koment tjetër për Kamalan, Trump ka thënë:
“Nën-presidenti Mike Pence më pëlqen më shumë. Ai është i fortë si guri”.
“Do ta marr atë kundër Kamalas dhe kundër mënyrës së tmerrshme që ka pasur ajo kundër gjyqtarit Kavanaugh”, ka thënë ai, duke iu referuar seancës së marrjes në pyetje në Senat të të nominuarit kohë më parë për gjyqtar në Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh, i cili është akuzuar për sjellje të keqe seksuale në kohën sa ka qenë adoleshent.
“Mendoj se ka qenë njeriu më i keq, më i tmerrshëm dhe më me pak respekt në Senatin amerikan”, ka vazhduar mes tjerash Trump, teksa ka komentuar senatoren amerikane.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka thënë se senatorja Harris është shumë e përgatitur për pozitën që është përzgjedhur të garojë.
“Unë e njoh senatoren Kamala Harris për një kohë të gjatë. Ajo është tejet e përgatitur për këtë punë. Përgjatë karrierës së saj ajo ka mbrojtur Kushtetutën tonë dhe ka luftuar për njerëzit që kanë pasur nevojë për drejtësi. Kjo është ditë e mirë për shtetin tonë. Le të fitojmë tani”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton ka thënë se përzgjedhja e senatores Harris është historike.
“Ajo veçse e ka dëshmuar se është lidere dhe shërbyese e shkëlqyeshme. Unë e di se ajo do të jetë partnere e fortë e Joe Bidenit”, ka thënë Clinton përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.