Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Luli Faber, ka paralajmëruar sot se uragani Laura që pritet të godasë pjesë të SHBA, mundë të dëmtojë edhe dhjetëra biznese shqiptare në ato zona.
Zonja Faber ka vënë në dukje faktin se evakuimi ka qënë i detyruar në kushtet kur uragani pritet të godasë pa mëshirë.
Në një mesazh në Fb, ambasadorja shkruan:
"Me shqetësim të madh kam ndjekur lajmet mbi uraganin Laura që pritet të godasë pa mëshirë sonte një pjesë të Luizianës dhe Teksasit.
Orët e fundit isha në kontakt me Konsullin e Nderit në Luisiana dhe Presidenten e Arberia Houston.
Pranvera më informoi se ka një numër restorantesh shqiptare në Beaumont dhe mbi 20 familje shqiptare që jetojnë në mes Liqenit Charles, Luiziana dhe Beaumont, Teksas. Në të gjithë këtë zonë evakuimi ishte i detyruar.
Pikërisht në zonën e Liqenit Charles, parashikohet që uragani të sjellë një valë uji në lartësinë deri në 5-6 metra, në një sipërfaqe deri në 50 kilometra në brendësi të zonave të banuara. Ndoshta, një pjesë nga këto zona mund të përmbyten përgjithmonë.
Në vitin 2018 kam udhëtuar nga Biloxi në Alabama në Neë Orlins në Luiziana, në drejtim të Houston, Teksas.
Kam bërë një udhëtim rreth dy orë përgjatë Autostrades I-10, paralel me bregun në Golfin e Meksikës dhe kam vizituar zonat e prekura nga uragani Katrina i cili ndodhi pikërisht 15 vite më parë.
Kushdo që jeton apo ka vizituar këtë pjesë të Jugut të Amerikës e ka një ide se çfarë pritet të shkaktojë uraganiLaura. Por një shpjegim skematik për të kuptuar situatën e paprecedent të stuhisë që pritet të godasë sonte, e paraqet kjo video shpjeguese e ">The Weather Channel
Sonte jemi më mendje e zemër pranë të gjithë atyre që pritet të preken nga kjo fatkeqësi e rënde natyrore!"