Vizita e parë zyrtare nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në Izrael pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është planifikuar për më 22 shtator, njoftoi një gazetë izraelite.
Gazeta izraelite Haaretz shkroi se një delegacion nga EBA pritet të arrijë në Izrael më 22 shtator si pjesë e vizitës zyrtare, por se kjo datë e vizitës ende nuk është definitive.
E përditshmja thekson nuk është dhënë asnjë informacion në lidhje me funksionet dhe emrat e zyrtarëve të EBA-së që do të marrin pjesë në delegacion.
Një delegacion nga Izraeli bëri vizitën e parë zyrtare në EBA më 31 gusht së bashku me zyrtarë të SHBA-së, duke përfshirë Jared Kushner, dhëndrin dhe këshilltarin e presidentit amerikan Donald Trump.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte ftuar zyrtarët e EBA-së në vendin e tij për një vizitë zyrtare.
Më herët, Kanali 12 i Izraelit tha se marrëveshja e normalizimit midis dy vendeve pritet të firmoset më 22 shtator në Washington.
Kanali 12 raportoi se presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe princi i kurorës i Abu Dhabit Mohammed bin Zayed Al Nahyan do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, e cila do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më 13 gusht se Izraeli dhe EBA kanë arritur një marrëveshje për “normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre”.
EBA u bë vendi i tretë arab që arriti marrëveshje normalizimi me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë më 1994.//AA