Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se çdo sulm i Iranit do të merrte përgjigje shumë më të madhe nga SHBA-ja.
Reagimi vjen pas raporteve se Irani planifikon të vrasë një diplomate amerikane, për të marrë hak për vrasjen e gjeneralit iranian, Qasem Soleimani
“Çdo sulm i Iranit, në çfarëdo forme, kundër Shteteve të Bashkuara do të kishte si përgjigje një sulm ndaj Iranit, që do të ishte 1,000 herë më i madh”, shkroi Trump në Twitter.
Soleimani, komandant i forcës elitë Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, është vrarë në muajin janar, në një sulm me dron të SHBA-së, në Bagdad.
Gazeta amerikane Politico raportoi më 13 shtator për një komplot të dyshuar iranian për të vrarë Lana Marksin, një mike e Trumpit, e cila ka marrë postin e ambasadores së SHBA-së në Afrikën e Jugut, në muajin tetor.
Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të Qeverisë amerikane, Politico tha se zyrtarët amerikanë kanë qenë në dijeni për një kërcënim të përgjithshëm kundër Marksit qysh në pranverë, por shtoi se kërcënimi është bërë më specifik javëve të fundit.
Nuk është e qartë se përse Irani do ta sulmonte atë.
Disa ditë pas vrasjes së Soleimanit, Irani ka hedhur raketa balistike në një bazë ushtarake në Irak, që strehonte forca amerikane, duke iu shkaktuar lëndime traumatike të trurit dhjetëra ushtarëve.