Qeveria federale dhe qeveritë e landeve ranë dakord për rregulla më të rrepta kundër Coronës. Ato përfshijnë edhe orë policore për qytete me numër të lartë infeksionesh.
Pas më shumë se tetë orë diskutimesh Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord mbi masat për të përmbajtur përhapjen e virusit Corona, njofton Deutsche Welle
"Ne jemi në një fazë serioze të pandemisë" - tha Merkel. Gjermania tashmë është në një fazë eksponenciale në të cilën infeksionet po rriten me shpejtësi. "Ne jemi në një pikë vendimtare dhe pyetja është nëse masat janë apo jo të mjaftueshme" - tha Merkel.
Kancelarja u bëri thirrje qytetarëve që në këtë "fazë vendimtare dhe kritike" të gjithë duhet të bashkohen dhe të ndjekin rregullat. "Ne mund ta luftojmë këtë virus." E rëndësishme është të zvogëlojmë numrin e kontakteve.
Merkel u bëri thirrje landeve të bëjnë përpjekje të përbashkëta. "A do të bëjmë një hap të guximshëm, apo do të takohemi përsëri javë pas jave si në pranverë," pyeti kancelarja, e cila kishte theksuar disa herë se një bllokim i ri i jetës shoqërore dhe ekonomike si në pranverë duhet të parandalohet pa tjetër.
Për qytete me numër të lartë infeksionesh është në fuqi pas orës 23:00 ora policore
"Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me çështjen e sistemit shëndetësor", tha Merkel. Zhvillimi ekonomik gjithashtu varet nga mosprekja shumë e rëndë nga pandemia. Ne nuk mund ta përballojmë një valë të dytë as ekonomikisht, theksoi Kancelarja