Nga VOA-
Ndërsa Presidenti Donald Trump synon që Gjykata e Lartë e SHBA të ndërhyjë në garën presidenciale, e cila është ende e paparashikueshme, ajo mund të mos jetë arbitri përfundimtar në këto zgjedhje, thanë ekspertët ligjorë.
Ata thanë se pak gjasa ka që gjykatat të pranonin një kërkesë të Presidentit Trump për të ndalur numërimin e fletëve të votimit që kanë arritur para ose në ditën e zgjedhjeve, apo që ndonjë mosmarrëveshje që mund të shqyrtojnë gjykatat të mund të ndryshonte trajektoren e garës në shtete të tilla si Miçigani dhe Pensilvania.
Mëngjesin e së mërkurës, ndërsa votat ishin ende duke u numëruar në shumë shtete, Presidenti Trump doli në Shtëpinë e Bardhë dhe shpalli fitoren ndaj demokratit Joe Biden.
Gjatë fushatës zgjedhore, Presidenti Trump u shpreh kundër votimit me postë, duke thënë pa patur prova, se kjo do të çonte në mashtrim, çka është diçka e rrallë në zgjedhjet e SHBA. Duke iu përmbajtur kësaj teme, Presidenti Trump tha: “Ky është një mashtrim i madh për vendin tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do të shkojmë në Gjykatën e Lartë të SHBA. Ne duam që i gjithë votimi të ndalet”.
Presidenti Trump nuk dha prova për të mbështetur pretendimin e tij për mashtrim apo hollësi se çfarë çështje gjyqësore do të ndiqte në Gjykatën e Lartë. Më vonë gjatë ditës, fushata e tij kërkoi ndërhyrje në një çështje që tashmë është në pritje në Gjykatën e Lartë, e cila kërkon të bllokojë fletëvotimet e mbërritura me vonesë në Pensilvani.
Fushata e zotit Trump dhe republikanë të tjerë gjithashtu kanë depozituar ankesa të ndryshme në shtete të tjera, përfshirë përpjekjen për të ndalur numërimin e votave në Miçigan.
Zgjedhjet janë ende të paparashikueshme dhe një numër shtetesh ku rezultati është i ngushtë mund të vendosin rezultatin në orët ose ditët e ardhshme, ndërkohë që numër i madh fletëvotimesh me postë duket se e ka zgjatur procesin.
Ekspertët ligjorë thanë se edhe pse mund të ketë kundërshtime ndaj fletëvevotimeve të veçanta apo ndaj procedurave të votimit dhe numërimit, është e paqartë nëse mosmarrëveshje të tilla do të përcaktonin rezultatin përfundimtar.
Republikanët dhe demokratët po mbajnë në gatishmëri një numër të madh avokatësh për t’i përdorur nëse lind nevoja