Për shkak të epidemisë së COVID-19, Mbretëresha Elizabeth II dhe bashkëshorti i saj, Princi Philip, do t’i kalojnë Krishtlindjet në qetësi në kështjellën Windsor, për herë të parë në më shumë se 30 vjet, njoftoi sot Pallati Buckingham.
Tradicionalisht, çifti mbretëror e kalon sezonin e festave në rezidencën e tyre në Sandringham, Norfolk, ku bashkohen me anëtarët e tjerë të familjes.
Por, përballë gjendjes shëndetësore, sovrania 94-vjeçare dhe burri i saj 99 vjeç, që ka një shëndet të brishtë, vendosën të qëndrojnë në rezidencën e tyre në periferi të Londrës.
“Pasi shqyrtuan të gjitha këshillat e duhura, Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut kanë vendosur ta kalojnë Krishtlindjen në qetësi në Windsor, këtë vit”, tha një zëdhënës i Pallatit Buckingham.
Gjatë valës së parë të COVID-19, Elisabeth II dhe Princi Philip i ndërprenë angazhimet e tyre publike dhe u izoluan në rezidencën e tyre në Windsor.
Më pas, ata shkuan në kështjellën Balmoral gjatë verës, duke ndjekur traditën.
Ndërsa qeveria britanike njoftoi një bllokim në Krishtlindje, javën e kaluar, duke lejuar bashkimin deri në tre familje për pesë ditë nga 23-27 dhjetor, Pallati Buckinghamit nuk ka sqaruar nëse pjesa tjetër e familjes mbretërore, përfshirë fëmijët dhe nipërit e mbesat e sovranes, do të udhëtojnë në Windsor