Ndahet nga jeta ish-shefi i Pentagonit, Donald Rumsfeld

E Enjte, 01 July 2021 11:27

 

Donald Rumsfeld, i cili shërbeu dy herë si sekretar i mbrojtjes si dhe konkurroi si kandidat për president i Shteteve të Bashkuara, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare. Figura e zotit Rumsfeld, i cili kishte marrë emër si drejtues i aftë e vizionar për ushtrinë moderne amerikane, u njollos nga ndërhyrja e tejzgjatur dhe e kushtueshme ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Irak.

“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin për vdekjen e Donald Rumsfeldit, një burrë shteti, një bashkëshort, baba, gjysh e stërgjysh i përkushtuar,” tha familja e tij përmes një deklarate. Ai u nda nga jeta i rrethuar nga të afërmit në qytetin Taos të shtetit Nju Meksiko. Deklarata nuk specifikonte ditën e vdekjes.

Zoti Rumsfeld, i cili krahasohet me ish-Sekretarin e Mbrojtjes së periudhës së Luftës së Vietnamit, Robert McNamara për nga ndikimi dhe autoriteti që gëzonte në Uashington si shef i Pentagonit, ishte karizmatik por edhe shumë pompoz në këtë post dhe mishëronte qëndrimin më agresiv të administatës së Presidentit Bush përballë sfidave globale.

Me zotin Rumsfeld në postin e shefit të Pentagonit, forcat amerikane rrëzuan me shpejtësi presidentin irakian Sadam Husein, por nuk arritën të vendosin stabilitetin në këtë vend dhe Iraku shumë shpejt precipitoi në kaos e dhunë mes myslimanëve suni dhe shiitë. Prania ushtarake amerikane në Irak vazhdoi deri më 2011, vite pasi zoti Rumsfeld ishte larguar nga Pentagoni.

Donald Rumsfeld luajti një rol udhëheqës para luftës duke u mëshuar me forcë argumenteve për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Ai paralajmëroi se regjimi irakian përbënte rrezik pasi zotëronte armë të shkatërrimit në masë, gjë që nuk u vërtetua pas ndërhyrjes amerikane.

Vetëm zoti McNamara ka qëndruar për një kohë më të gjatë në postin e shefit të Pentagonit se sa zoti Rumsfeld.

Zoti Rumsfeld shpesh i trajtonte komandantët ushtarakë dhe anëtarët e Kongresit me arrogancë. Ai gjithashtu kishte përplasje me anëtarë të tjerë të ekipit të Presidentit Bush, si për shembull Sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Colin Powell. Në disa raste ai krijoi divergjenca edhe me aleatë evropianë.

This image obtained by The Associated Press shows an unidentified detainee standing on a box with a bag on his head and wires attatched to him in late 2003 at the Abu Ghraib prison in Baghdad, Iraq.
This image obtained by The Associated Press shows an unidentified detainee standing on a box with a bag on his head and wires attatched to him in late 2003 at the Abu Ghraib prison in Baghdad, Iraq.
Në 2004, Presidenti Bush dy herë nuk ia pranoi ofertën për dorëheqje zotit Rumsfeld pasi shtypi publikoi foto për trajtimin e turpshëm të të burgosurve në burgun irakian Abu Graib nga ushtarë amerikanë. Skandali bëri bujë të madhe dhe u përcoll me kritika të forta në shkallë ndërkombëtare. Në fotografi shiheshin ushtarë amerikanë duke qeshur, siç duket të argëtuar, ndërsa të burgosurit ishin në poza të turpshme seksuale apo abusive.


Zoti Rumsfeld personalisht kishte autorizuar taktikat e ashpra të marrjes në pyetje të të burgosurve.

Emri i Donald Rumsfeldit filloi të lakohej shpesh në kritikat për ndërhyrjen amerikane në Irak, pasi lufta nuk po shkonte si duhej dhe në SHBA mbështetja publike filloi të shteronte. Në nëntor 2006, Presidenti Bush e zëvendësoi zotin Rumsfeld, megjithë kundërshtitë e Nënpresidentit Dick Cheney, një mik dhe bashkëpunëtor i tij i vjetër.

Pak ditë pasi ishte betuar se Donald Rumsfeld do të vazhdonte të drejtonte Pentagonin deri në fund të mandatit të tij presidencial, Presidenti Bush njoftoi zëvendësimin e tij me Robert Gates, pasi demokratët siguruan kontrollin e Kongresit si rezultat i zhgënjimit publik me luftën në Irak.


Shumë historianë dhe ekspertë ushtarakë fajësojnë zotin Rumsfeld për vendime që e përkeqësuan situatën në Irak. Për shembull, zoti Rumsfeld kishte këmbëngulur se nevojitej vetëm një forcë e vogël ushtarake për ndërhyrje, duke mos përfillur opinionin e gjeneralëve. Forca e vogël nuk arriti të stabilizonte Irakun pas rrëzimit të Sadam Huseinit.

Zoti Rumsfeld u akuzua gjithashtu për reagim të vonuar për të diktuar kryengritjen që po ziente në 2003 dhe kërcënimin që përfaqësonte ajo.

Nën udhëzimet e zotit Rumsfeld, L. Paul Bremer i cili mori në dorë Autoritetin Provizor në Irak pas rrëzimit të Sadam Huseinit, bëri dy gabime të rënda: shpërbëri ushtrinë irakiane duke nxjerrë pa punë mijëra irakianë të armatosur në vend që t’i mobilizonte në rindërtimin e vendit, dhe e dyta: boshatisi ministritë nga kuadrot zyrtare që i përkisnin Partisë Baathe të Sadamit.

Zoti Rumsfeld ishte në krye të Pentagonit edhe gjatë ndërhyrjes në Afganistan në 2001. Edhe në këtë rast ai kishte dërguar një forcë të vogël, që megjithëse rrëzoi nga pushteti Talibanët, nuk arriti të vendosë stabilitetin në vend.

Gjatë mandatit të zotit Rumsfeld në Pentagon, forcat amerikane nuk arritën të gjejnë Osama bin Ladenin, i cili arriti të shpëtojë i padiktuar nga një kontigjent i vogël me forca speciale dhe agjentë të CIA-s në malet e Bora Borës. Ai u vra nga forcat amerikane në 2011 në Pakistan.

Kritikët këmbëngulin se nëse zoti Rumsfeld do të kishte dërguar një numër më të madh forcash në Afganistan, Bin Ladeni mund të ishte kapur më herët. Por zoti Rumsfeld i përmbahej bindjes se “nëse nuk të kritikon njeri, ndoshta nuk po bën gjë me vlerë”.

Një tjetër citim i zotit Rumsfeld që ndoshta e përmbledh më mirë sjelljen e tij ishte “Është më e lehtë të fillosh diçka se sa ta mbarosh”.

Donald Rumsfeld kujtohet edhe për konferencat për shtyp, ku shpesh hynte në replika me gazetarët. Por ndoshta momenti më i spikatur është ai i vitit 2002, kur zoti Rumsfeld tha në një konferencë për shtyp “Raportimet që thonë se nuk ka ndodhur gjë gjithmonë më duken interesante, sepse siç e dini: ka gjëra të mirënjohura që i dimë. Ka gjëra që e dimë se nuk i dimë. Ka gjëra që e dimë se janë të paditura, pra e dimë se ka gjëra që nuk i dimë. Por ka edhe gjëra të paditura që s’e dimë që nuk i dimë”.

Fushata “Anglishte me Fjalë të Thjeshta” e zgjodhi atë në 2002 si amerikani që e masakroi më rëndë gjuhën atë vit. "Mendojmë se e dimë se çfarë deshi të thotë zoti Rumsfeld. Por nuk e dimë nëse e dimë vërtetë,” tha zëdhënësi i fushatës.

Zoti Rumsfeld më pas titulloi librin e tij me kujtime “Të ditura e të Paditura”.

"Këto gjëra ndodhin,” tha ai në komentet për shtyp në prill 2003 kur në Irak kishte plasur kaosi pasi trupat amerikane rrëzuan nga pushteti Sadam Huseinin.

Pasi u largua nga sektori shtetëror, zoti Rumsfeld arriti sukses të konsiderueshëm financiar duke shërbyer si shef ekzekutiv i dy prej kompanive më të mëdha amerikane. Në vitin 1988 ai konkurroi për pak kohë për emërimin e republikanëve si kandidat në zgjedhjet presidenciale.

Zoti Rumsfeld pat qenë pilot i marinës ushtarake amerikane, ambasador amerikan në NATO dhe ligjvënës në Kongresin amerikan. Ai lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...