‘VOA’: Joe Biden përpiqet të kufizojë dëmtimin e besueshmërisë pas tërheqjes nga Afganistani

E mërkurë, 18 August 2021 12:42

 

Kur Presidenti Joe Biden u shfaq në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë më 8 korrik për të theksuar se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani po vazhdonte me shpejtësi, ai deklaroi se marrja e vendit nën kontroll nga talebanët nuk ishte e pashmangshme.

Pesë javë më vonë, talebanët janë në krye të vendit, skenat e kaosit në aeroportin e Kabulit nga evakuimi i amerikanëve dhe qytetarëve afganë të lidhur me SHBA-në kanë shpërfytyruar botën, dhe Bideni po përpiqet të mbrojë veten nga një seri llogaritjesh të gabuara që kanë dëmtuar besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa këmbënguli se “përgjegjësia ndal tek unë“, Presidenti Biden ka fajësuar të tjerët për fundin poshtërues të Amerikës në luftën 20-vjeçare në Afganistan që përfshinte hapa të gabuar të ndërmarrë nga katër administrata – dy republikane dhe dy demokrate.

Ai kritikoi ashpër ushtrinë afgane që refuzoi të luftojë, denoncoi qeverinë e Kabulit të rrëzuar tashmë dhe deklaroi se trashëgoi një marrëveshje të keqe tërheqjeje nga paraardhësi i tij republikan Donald Trump.

“Unë premtova para popullit amerikan kur kandidova për President se do t’i jepja fund përfshirjes ushtarake të Amerikës në Afganistan. Dhe ndërsa ishte e vështirë dhe e koklavitur- dhe shumë larg të qënurit e përsosur – unë e kam mbajtur atë premtim”, tha Presidenti Biden në një fjalim të hënën.

Presidenti Biden erdhi në detyrë duke e promovuar veten si një burrë shteti me përvojë pas katër viteve të trazuara nga Donald Trumpi në detyrë.

Ai i futi Shtetet e Bashkuara shpejt në marrëveshjet ndërkombëtare të braktisura nga Trumpi dhe kërkoi të përtëriste aleancat tradicionale që Trumpi i kishte hedhur poshtë.

Por sfida e tij e parë e madhe ndërkombëtare po gjeneron një reagim të ashpër politik ndërsa demokratët dhe republikanët kanë ngritur pyetje lidhur me strategjinë e tij.

Një vlerësim i inteligjencës amerikane se talebanët mund të mbaheshin larg tre muaj pas tërheqjes së SHBA -së doli të ishte e gabuar. Komandantët ushtarakë amerikanë që kërkuan një qasje më të kujdesshme për tërheqjen u shkarkuan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan doli në podium të Shtëpisë së Bardhë të martën për të ofruar një mbrojtje të gjerë të veprimeve të Presidentit.

Ai tha se sinjalizimi i mbështetjes për qeverinë afgane “ishte një veprim i shqyrtuar me hollësi” që megjithatë nuk e shpëtoi dot qeverinë e Kabulit. “Kur përfundon 20 vjet aksion ushtarak në një luftë civile në një vend tjetër, duhet të marrësh shumë vendime të vështira. Asnjë prej tyre me rezultat të saktë,” tha zoti Sullivan.

THIRRJE PËR HETIME

Të zemëruar gjithnjë e më shumë nga ngjarjet në Afganistan, anëtarët e Kongresit duan të hetojnë se çfarë nuk shkoi si duhet në planet e tërheqjes.

Senatori Mark Warner, kryetari i Komisionit të Inteligjencës, tha të hënën se kishte ndërmend të punonte me komisione të tjera “për të bërë pyetje të vështira, por të nevojshme” përse Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përgatitura sa duhet për rënien e qeverisë afgane.

Republikanët vazhduan kritikat e tyre të ashpra ndaj politikave të Bidenit.

“Kriza e sigurisë dhe ajo humanitare që po shpaloset tani në Afganistan mund të ishte shmangur nëse do të ishte bërë ndonjë planifikim,” thanë republikanët në Komsionin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve në një letër drejtuar Shtëpisë së Bardhë të martën.

Kriza duket se ka patur pasoja.

Sipas një sondazhi të agjencisë Reuters-Ipsos kryer të hënën, mbështetja për Presidentin Biden ra me 7 pikë përqindje dhe arriti nivelin më të ulët – 46% – që kur ai mori detyrën në janar.

Presidenti Biden, duke menaxhuar krizën nga pika presidenciale e Camp David në Merilend, kaloi disa ditë pa folur me ndonjë udhëheqës të huaj për Afganistanin. Ai foli të martën me kryeministrin britanik Boris Johnson.

Ish -Presidenti George W. Bush, i cili filloi “luftën kundër terrorit” në Afganistan në përgjigje të sulmeve të 11 Shtatorit 2001 dhe filloi një luftë të dytë në Irak në vitin 2003, shprehu keqardhje në një deklaratë të lëshuar të hënën vonë së bashku me bashkëshorten e tij, Laura Bush.

“Zemrat tona janë të pikëlluara si për popullin afgan që ka vuajtur aq shumë, ashtu edhe për amerikanët dhe aleatët e NATO-s që kanë sakrifikuar aq shumë,” thanë ata.

“Afganët që janë tani në rrezikun më të madh janë ata që kanë qenë në ballë të përparimit që ka arritur vendi i tyre.”

Sidoqoftë, zoti Sullivan argumentoi të martën se ndërsa imazhet nga aeroporti ishin “pikëlluese”, Presidenti Biden duhej të mendonte edhe për kostot njerëzore të një rruge alternative, e cila do të kërkonte qëndrimin në mes të një konflikti civil në Afganistan”.

Zeri i Amerikes

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...