Arnold Schwarzenegger: Një mesazh për miqtë e mi rusë

Premte, 18 Mars 2022 20:55

 

Kam një mesazh për miqtë e mi rusë dhe për ushtarët rusë që po shërbejnë në Ukrainë: Ka disa gjëra që ndodhin në botë që ua kanë mbajtur fshehur, gjëra të tmerrshme të cilat duhet t’i dini. Por para se t’ju flas për realitetin e ashpër, më lejoni t’ju tregoi për rusin që u bë heroi im.

Më 1961, kur isha 14 vjeç, pata rastin të ndiqja Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Vienë. Juri Petroviç Vlasov fitoi titullin botëror, duke u bërë njeriu i parë që ngriti 200 kilogramë mbi kokë. Një shok i imi gjeti mënyrën të më çonte në prapaskenë. Befas, një djalë 14-vjeçar qëndronte përballë njeriut më të fortë në botë. Nuk mundesha ta besoja. Ai më zgjati dorën. Unë ende kisha duar fëmije. Ai kishte dorën e atij njeriut të fuqishëm që e gëlltiti timen, por ishte i përzemërt. Dhe më buzëqeshi.

 

Nuk e harrova kurrë atë ditë. Shkova në shtëpi dhe vura foton e tij mbi krevat. Më frymëzonte kur nisa të ngrija pesha, por e zemëroi tim atë. Ai nuk i donte rusët, për shkak të përvojës në Luftën e Dytë Botërore, kur ishte plagosur në Leningrad. (Ushtria naziste, pjesë e së cilës ishte, i shkaktoi dëme të tmerrshme atij qyteti të madh dhe popullit të tij trim). Babai më tha ta hiqja fotografinë e Petroviçit e të gjeja ndonjë hero gjerman apo austriak. Por unë nuk e hoqa fotografinë, sepse për mua nuk kishte rëndësi se cilin flamur mbante ai.

 

 

Vite më vonë, isha në Moskë për filmimin e Red Heat (Danko), filmi i parë amerikan që u lejua të filmohej në Sheshin e Kuq. Juri dhe unë e kaluam gjithë ditën bashkë. Ai ishte kaq mendimtar, kaq i sjellshëm, i zgjuar e i dashur. Më dha një filxhan kafeje blu, të cilin ende e përdor çdo mëngjes.

 

Arsyeja pse po ju them gjithë këtë është se që kur isha 14 vjeç nuk kam pasur gjë tjetër veçse afeksion dhe respekt për popullin e Rusisë. Fuqia dhe zemra e popullit rus gjithmonë më ka frymëzuar. Prandaj edhe shpresoj se do të më lejoni t’ju tregoj të vërtetën për luftën në Ukrainë. Askujt nuk i pëlqen të dëgjoja gjëra kritike për qeverinë e vet. E kuptoj këtë. Por si mik i vjetër i popullit rus shpresoj që do ta dëgjoni atë që kam për t’ju thënë.

Fola në të njëjtën mënyrë me popullin amerikan vitin e kaluar më 6 janar, kur një turmë e egër sulmoi Kapitolin e SHBA, duke u përpjekur të përmbyste qeverinë tonë. Ka momente që janë aq të gabuara sa që duhet ta ngremë zërin.

Di që qeveria juaj ju ka thënë se kjo është luftë për të denazifikuar Ukrainën. Kjo nuk është e vërtë. Të danazifikojnë Ukrainën? Është një vend me një president hebre – president hebre, do të shtoja, tre vëllezërit e babait të të cilit u vranë nga nazistët. Ukraina nuk e nisi këtë luftë. As nacionalistët apo nazistët. Këtë luftë civile e nisën ata që janë në pushtet në Kremlin; kjo nuk është lufta e popullit rus.

Më lejoni t’ju them atë që duhet të dini. 141 vende në Kombet e Bashkuara votuan që Rusia ishte agresori dhe i bënë thirrje që të largonte menjëherë trupat e saj. Vetëm katër vende në të gjithë botën votuan me Rusinë. Ky është fakt. Bota u kthye kundër Rusisë për shkak të aksioneve të saj në Ukrainë. Lagje të tëra qytetesh janë rrafshuar nga artileria dhe bombat ruse, përfshirë spitale fëmijësh dhe një maternitet. Tre milion refugjatë ukrainas, kryesisht gra, fëmijë e të moshuar, e kanë lënë tashmë vendin dhe shumë të tjerë po përpiqen të largohen. Është një krizë humanitare. Rusia, për shkak të këtij brutaliteti, tani është izoluar nga shoqëria e kombeve.

Nuk po ju tregojnë të vërtetën edhe për pasojat e kësaj lufte për vetë Rusinë. Më vjen keq t’ju them se mijëra ushtarë rusë janë vrarë. Ata kanë ngecur midis ukrainasve që luftojnë për atdheun dhe udhëheqjes ruse që lufton për pushtim. Një numër i madh pajisjesh ruse është shkatërruar apo braktisur. Shkatërrimet e bombave ruse që bien mbi civilët e kanë indinjuar kaq shumë botën saqë mbi vendin tuaj janë vendosur sanksionet më të fuqishme ekonomike globale të para ndonjëherë. Do të vuajnë ata që nuk e meritojnë, në të dyja anët e kësaj lufte.

Qeveria ruse ka gënjyer jo vetëm qytetarët e saj, por edhe ushtarët. Disa prej ushtarëve iu tha se do të shkonin të luftonin kundër nazistëve. Disave iu tha se populli ukrainas do t’i priste si heronj. Disave iu tha se thjesht po shkonin në manovra – ata as nuk e dinin që po shkonin në luftë. Dhe disave iu tha se po shkonin të mbronin rusët etnikë në Ukrainë. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Ushtarët rusë janë përballur me rezistencë të fortë nga ukrainasit që duan të mbrojnë familjet e tyre.

Kur shoh foshnja që i nxjerrin nga rrënojat më duket sikur po shoh ndonjë dokumentar mbi tmerret e Luftës së Dytë Botërore, jo lajmet e ditës. Kur babai im mbërriti në Leningrad, ishte i fryrë nga gënjeshtrat e qeverisë së tij. Kur u largua nga Leningradi ishte i thyer fizikisht e mendërisht. E kaloi pjesën tjetër të jetës në dhimbje: dhimbje nga shpina e thyer, dhimbje nga një cifël bombe që gjithmonë i kujtonte ato vite të tmerrshme, dhimbje nga faji që ndiente.

Ushtarët rusë tashmë dinë shumë nga kjo e vërtetë. Ju e keni parë me sytë tuaj. Nuk dua që ju të ndiheni të thyer si babai im. Kjo nuk është një luftë për të mbrojtur Rusinë siç luftuan gjyshërit e stërgjyshërit tuaj. Kjo është një luftë e paligjshme. Jetët tuaja, gjymtyrët, e ardhmja juaj po sakrifikohen për një luftë pa kuptim, e dënuar nga e gjithë bota. Kujtoni që 11 milion rusë kanë lidhje familjare me Ukrainën. Me çdo plumb që shtini godisni një vëlla apo motër. Çdo bombë e predhë që bie nuk bie mbi armikun, por mbi një shkollë, apo një spital, apo një shtëpi.

Nuk mendoj se populli rus është i vetëdijshëm që të tilla gjëra po ndodhin. Ndaj i bëj thirrje popullit rus dhe ushtarëve rusë në Ukrainë të kuptojnë propagandën dhe disinformacionin që iu kanë ofruar. Ju kërkoj të më ndihmoni të përhapim të vërtetën në mënyrë që bashkatdhetarët tuaj rusë ta dinë katastrofën njerëzore që po ndodh në Ukrainë. Presidentit Putin i them: Ti e nise këtë luftë. Ti po e udhëheq këtë luftë. Ti mund ta ndalosh këtë luftë tani.

Dhe rusëve që kanë protestuar nëpër rrugë kundër pushtimit të Ukrainës: Bota e ka parë guximin tuaj. E dimë që keni vuajtur pasojat e guximit tuaj. Jeni arrestuar. Jeni burgosur e rrahur. Ju jeni heronjtë e mi të rinj. Ju keni fuqinë e Jury Petroviç Vlasovit. Ju jeni zemra e vërtetë e Rusisë

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...