Rrjeti amerikan, Fox News, raporton se presidenti amerikan, Joe Biden, shtroi të parën darkë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë të enjten, në nderim të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe gruas së tij, Brigitte.
Rrjeti televiziv thekson se më shumë se 300 persona ishin të pranishëm në darkën luksoze, mes tyre politikanë, personazhe të famshëm dhe yje të modës.
Por Fox News raporton se në mesin e të ftuarve ishin donatorët më të mëdhenj të Joe Biden.
Mes të pranishmëve në ceremoni ishte edhe Alex Soros, nënkryetar i Fondacionit për Shoqëri të Hapur dhe djali i mega-donatorit miliarder, George Soros. Ky i fundit ka kontribuar me më shumë se 700 mijë dollarë në Fondin e Fitores së Biden gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
Në darkë ishte edhe Sarah Margon, drejtoresha e politikave të jashtme pranë Fondacionit për Shoqërinë e Hapur. Margon është nominuar nga Biden si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën, por emërimi i saj ka mbetur pezull pasi ajo është kritikuar për shkak të disa postimeve për Izraelin.
Edhe miliarderja Laurene Powell Jobs ishte e ftuar. Ajo financon një rrjet portalesh të majta, që njihen për lajmet e tyre të rreme, shkruan Fox News.
Mes donatorëve të tjerë të pranishëm ishte edhe Judith Pisar, nëna e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, e cila dhuroi 100 mijë dollarë për Fondin e Fitore së Biden.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi këtë listë të pranishmish.
Kujtojmë se Soros dhe Blinken kanë lidhje të ngushta. Kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, por edhe politikanë të lartë të djathtë në SHBA kanë akuzuar se vendimi për Berishën ka ardhur për shkak të këtyre lidhjeve.