I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ka quajtur sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ngjarjen e ndodhur të dielën në veri të vendit.
Pas takimit të zhvilluar të hënën me kryeministrin Albin Kurti, Sarrazini ka thënë se të dielën është parë një situatë e tmerrshme.
“Dje pamë një situatë të tmerrshme. E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin”, ka thënë ai.
Sarrazini do të marrë pjesë edhe në mbledhjen komemorative që do të mbahet nga ora 12:30, në nderim të policit të rënë në detyrë, rreshter Afrim Bunjakut.
Pas kësaj mbledhje, Sarrazini pritet që të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani.