Djali i presidentit amerikan, Hunter Biden, sfidoi publikisht Kongresin, duke mos marrë pjesë në një seancë të Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve.
Në vend që të paraqitej për të dëshmuar në seancën e këtij komisioni, ai zgjodhi të mbajë një konferencë për shtyp përpara Kapitolit.
Gjatë kësaj konference, ai sulmoi republikanët që e kishin thirrur për të qenë i pranishëm në komisionin hetimor të mërkurën.
“Babai im nuk është i përfshirë në asnjë prej bizneseve të mia. Nuk ka asnjë provë që kjo ka ndodhur,” tha Biden.
“Republikanët kanë gënjyer vazhdimisht për çdo aspekt të jetës sime personale dhe profesionale. Aq shumë sa edhe faktet e rreme besohen nga shumë njerëz”.
“Ata e kanë marrë dritën e dashurisë time për babain dhe e kanë paraqitur si errësirë. Ata nuk kanë turp”.
Hunter Biden tha se republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë angazhuar ‘në ndërhyrje politike të paprecedentë’.
Hunter Biden është duke u hetuar nga autoritetet në SHBA, ndërsa deri më tani janë ngritur disa akuza ndaj tij.
Kujtojmë se emri i tij del i lidhur edhe me Dorian Duçkën, këshilltarin hije të Edi Ramës.
Si Hunter Biden, ashtu edhe Dorian Duçka janë të lidhur me një firmë kineze, e cila ka sponsorizuar ekspozitën e Edi Ramës në Hong Kong.