VOA/ Turqi, opozita arrin fitoren më të madhe që nga ardhja në pushtet e Erdoganit

Hënë, 01 Prill 2024 17:32

Titujt e gazetave opozitare turke festuan fitoren e kundërshtarëve të Presidentit Recep Tajip Erdogan në zgjedhjet lokale që u mbajtën dje (të dielen), duke e përshkruar atë si “historike” dhe një “revolucion”. Opozita e Turqisë jo vetëm që ruajti kontrollin mbi qytetet kryesore, por ajo arriti fitore të mëdha edhe në zona që deri më tani janë vlerësuar si fortesa të Presidentit Recep Tajip Erdogan. Rezultati i këtyre zgjedhjeve vlerësohet si goditje e rëndë për pushtetin e Presidentit Erdogan, i cili bëri fushatë me synimin për të rikthyer kontrollin mbi zonat kryesore urbane të Turqisë.

Kryebashkiaku aktual i Stambollit Ekrem Imamoglu nga Partia Popullore Republikane, ose CHP, fitoi me një diferencë të thellë në Stamboll, qytetin më të madh dhe qendrën ekonomike të Turqisë, sipas agjencisë shtetërore Anadolu.

Pas fitores, zoti Imamoglu tha se me këtë rezultat Turqia po hedh hapin e parë drejt një vendi ku lulëzojnë demokracia, liria, barazia dhe solidariteti.

“31 Marsi i vitit 2024 është dita kur shkatërrimi i demokracisë në Turqi merr fund dhe demokracia fillon të ngrihet sërish. Sot zemra e demokracisë rreh në Stamboll. Ata që janë të pakënaqur dhe të shtypur nën regjimet autoritare i kanë kthyer sytë nga Stambolli sot”, tha zoti Imamoglu.

Rezultatet e së dielës gjithashtu përforcojnë figurën e kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu si një rival i mundshëm i zotit Erdogan.

Sipas agjencisë Anadolu, opozita fitoi bashkitë në 36 nga 81 provincat e Turqisë, duke thyer edhe shumë fortesa të partisë së presidentit Erdogan. Ajo fitoi 37 për qind të votave në mbarë vendin, krahasuar me 36 për qind të partisë së presidentit. Kjo është fitorja më e madhe e opozitës që kur zoti Erdogan mori pushtetin dy dekada më parë.

Edhe në kryeqytetin turk, Ankara, Mansur Yavas, kryebashkiaku aktual nga opozita, fitoi me një diferencë prej 25 pikësh ndaj kundërshtarit të tij.

Në orët e para të mëngjesit të hënën, Presidenti Erdogan, në një fjalim nga ballkoni i pallatit presidencial pranoi humjen e partisë së tij në mbarë vendin.

“Ne do të shmangim kokëfortësinë, veprimin kundër vullnetit kombëtar dhe nuk do të vëmë në dyshim gjykimin e kombit tonë. Ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm duke analizuar mesazhet e dhëna nga kombi në kutinë e votimit në mënyrën më të saktë dhe objektive”, tha zoti Erdogan.

Fusha kryesore e betejës për presidentin 70-vjeçar turk ishte Stambolli, një qytet me 16 milionë banorë ku ai lindi dhe u rrit dhe ku filloi karrierën e tij politike si kryetar bashkie në vitin 1994.

Mbështetësit e zotit Erdogan thanë të hënën se ata që votuan kundër partisë në pushtet janë mosmirënjohjes.

“Jam shumë e mërzitur me rezultatet. Për 20 vjet, kishte bollëk, gjithçka ishte perfekte. Ne kaluam një pandemi. Pati një tërmet dhe 11 provinca u shkatërruan. A nuk u përmirësua gjithçka? Kush e bëri këtë? Është ai që na qeverisë”, thotë mbështetësja e zotit Erdogan, Fatma Hanedar.

I pakënaqur me rezultatet është edhe 52 vjeçari Husamettin Ezer.

“Ne nuk jemi të kënaqur me kryebashkiakun e Stambollit. Fatkeqësisht, rezulton që njerëzit janë mosmirënjohës. Falë Zotit, presidenti ynë është ende në krye”, tha zoti Ezer.

Ndërkaq votuesi turk Cetin Simsek thotë se ai është penduar që e ka mbështetur partinë e Presidentit të Turqisë deri më tani.

“Gjithmonë kam mbështetur partinë në pushtet AKP. Nëse më pyesni a jam penduar; deri në zgjedhjet e fundit, JO, por tani PO, jam penduar shumë”, thotë ai.

“Turqia është zgjuar. Dy vjet më parë qiraja ime ishte 55 dollarë. Tani paguaj 370 dollarë. Jetoj me dy fëmijët e mi. Si mund t'ia dal?”, pyet mbështetësi i opozitës, Hicabi Pekdemir.

Analistët thonë se zoti Erdogan dhe partia e tij AKP dolën më keq se sa parashikonin sondazhet për shkak të inflacionit në rritje dhe votuesve të pakënaqur islamikë.

Titujt e gazetave opozitare festonin fitoren, duke e cilpësuar atë si “historike” dhe një “revolucion”. Gazetat pro-qeveritare ishin më pak entuziaste. Njëra e përshkruan rezultatin si “aleanca e ndyrë (opozitare)” që fitoi shumë bashki. Gazetat e tjera pro-qeveritare i bënë jehonë zotit Erdogan duke thënë se vullneti i njerëzve do të respektohet dhe se populli i kishte dhënë një mesazh partisë në pushtet.

Zgjedhjet lokale u vlerësuan të qeta, por vetëm pjesërisht sipas standardeve demokratike, tha sot një grup evropian vëzhguesish.

Disa shqetësime të kahershme të Këshillit të Evropës mbi praktikat zgjedhore të Turqisë mbetën të pazgjidhura, tha nënkryetari i delegacionit Vladimir Prebiliç në një konferencë shtypi në Ankara.

Zoti Prebiliç tha se ata morën informacione në lidhje me shkuarjen e zyrtarëve publikë në qendra të caktuara votimi për të rritur mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve të caktuar, veçanërisht në Turqinë juglindore.

Vëzhguesit nuk morën përgjigje të qarta nga Bordi i Lartë Zgjedhor i Turqisë në rastet kur më shumë se 100 persona ishin regjistruar vetëm nga një shtëpi, tha zoti Prebiliq, duke shtuar se ata nuk kishin ndonjë informacion të qartë se si këto incidente ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...