Presidenti i SHBA Joe Biden ka lavdëruar forcat amerikane të cilat tha se “ndihmuan Izraelin të rrëzonte pothuajse të gjithë” dronët dhe raketat e lëshuara nga Irani të dielën. Në një deklaratë, ai tha se SHBA kishte lëvizur avionë dhe anije luftarake në rajon përpara sulmit të paprecedentë.
“I dënoj këto sulme në termat më të ashpër të mundshëm”, shtoi ai. Izraeli tha se Irani lëshoi qindra dronë dhe raketa në drejtim të tij, hera e parë që ka sulmuar Izraelin drejtpërdrejt nga territori i tij. Ai tha se “shumica dërrmuese” u kapën, por kishte një numër të vogël goditjesh, duke përfshirë një bazë të IDF në Izraelin jugor. Të paktën një person, që raportohet se është një vajzë e re, ka mbetur e plagosur.
Irani më herët paralajmëroi se Izraeli do të “dënohej” për një sulm në konsullatën e tij në Siri më 1 prill, i cili vrau shtatë oficerë iranianë, duke përfshirë një komandant të lartë. Izraeli nuk e ka konfirmuar apo mohuar nëse ishte përgjegjës. “Sapo fola me kryeministrin [Benjamin] Netanyahu për të riafirmuar angazhimin e hekurt të Amerikës për sigurinë e Izraelit”, tha Biden menjëherë pasi dyshja mbajtën një telefonatë. “I thashë atij se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’u mbrojtur kundër dhe mposhtur edhe sulme të paprecedenta,” shtoi ai. Biden tha gjithashtu se ka në plan të mbledhë udhëheqësit e G7 të dielën “për të bashkërenduar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të pacipë të Iranit”.
Ai paralajmëroi Iranin që të mos sulmojë asetet e SHBA-së, duke shtuar se ndërsa Irani nuk e ka bërë këtë, Amerika “mbetet vigjilente ndaj të gjitha kërcënimeve”.
Presidenti Biden ndërpreu një vizitë të planifikuar në shtetin e tij të lindjes, Delaware të shtunën, duke udhëtuar përsëri në Shtëpinë e Bardhë për t’u informuar nga zyrtarët e sigurisë kombëtare disa orë përpara sulmit. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha se Biden ishte “në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët izraelitë, si dhe partnerë dhe aleatë të tjerë”. Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë, thanë se po hartonin legjislacionin për të ofruar më shumë ndihmë për Izraelin dhe për të sanksionuar Iranin.