Hoqi dorë nga gara presidenciale, Biden sqaron arsyet: Po pasoj stafetën për të bashkuar vendin

E Enjte, 25 July 2024 10:30
 

Presidenti Joe Biden tha se po ia kalon stafetën një brezi të ri, ndërsa u shpjegoi amerikanëve largimin e tij të papritur nga gara presidenciale gjatë një fjalimi mbrëmjen e së mërkurës nga Shtëpia e Bardhë pas një karriere politike mbi 50-vjeçare. “Unë e nderoj këtë zyrë”, tha Presidenti Biden. “Por unë e dua më shumë vendin tim”. 81-vjeçari Biden, hodhi poshtë trysninë disa javore të demokratëve për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas debatit katastrofik të 27 qershorit. Gjatë një interviste pas debatit ai tha se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë të tërhiqet nga gara.

“Kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj stafetën një brezi të ri. Kjo është mënyra më e mirë për të bashkuar vendin tonë”, tha Presidenti Biden në fjalimin drejtuar vendit. Presidenti Biden e mori vendimin disa ditë pasi shqyrtoi parashikimet e sondazheve se ai mund të humbiste përballë republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit dhe të dëmtonte edhe shanset e fitores së zgjedhjeve të ligjvënësve demokratë. 

“Gjëja e madhe e Amerikës është se këtu nuk sundojnë mbretërit dhe diktatorët. Populli sundon. Historia është në duart tuaja. Fuqia është në duart tuaja. Ideja e Amerikës është në duart tuaja”, tha Presidenti Biden ndërsa iu drejtua popullit amerikan. Këto janë komentet e para të zgjeruara publike të Presidentit Biden që nga e diela kur ai njoftoi përmes medias sociale se kishte vendosur të tërhiqej nga gara presidenciale për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Demokrati Biden është presidenti i parë në detyrë që nuk kërkon një mandat të dytë që nga viti 1968 kur Presidenti Lyndon Johnson, nën kritika të ashpra për trajtimin e Luftës në Vietnam, u tërhoq papritur nga fushata më 31 mars.

Zoti Biden i bashkohet listës së presidentëve James K. Polk, James Buchanan, Rutherford B. Hayes, Calvin Coolidge dhe Harry Truman që vendosën të mos kandidojnë për një mandat të dytë. Presidenti Biden u përball me thirrjet për t’u larguar nga gara pasi paraqitja e tij e dobët në debatin kundër zotit Trump ngriti pikëpyetje shqetësuese në lidhje me mprehtësinë e tij mendore. Megjithatë, që kur ai mori vendimin për t’u tërhequr nga gara për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, demokratët kanë shprehur mbështetjen për të, duke vlerësuar karakterin dhe punën e tij si president.

Zoti Biden tha se do të përqendrohet tek detyra e tij si president gjatë gjashtë muajve të mbetura në detyrë. Ai do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të enjten lidhur me përpjekjet për të negociuar një armëpushim në Gazë. Kjo është hera e katërt që Presidenti Biden i drejtohet vendit nga Zyra Ovale që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2021. Më 15 korrik Presidenti Biden iu drejtua vendit pas tentativës për vrasjen e ish Presidentit Trump duke u bërë thirrje amerikanëve që të qetësonin retorikën politike. Zoti Biden e filloi karrierën politike në vitin 1972, kur u zgjodh në Senatin amerikan në moshën 29-vjeçare, duke u bërë senatori i gjashtë më i ri. Ai do të përfundojë mandatin në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2025, si presidenti më i vjetër amerikan kur do të ketë mbushur 82 vjeç.

“Mbrojtja e demokracisë është më e rëndësishme se çdo titull”, tha Presidenti Biden. “Unë gjej forcë dhe gëzim duke punuar për popullin amerikan. Por kjo detyrë e shenjtë për të përsosur vendin tonë nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me ju. Familjet tuaja. Të ardhmen tuaj. Ka të bëjë me ‘Ne Populli’”, tha Presidenti duke iu referuar deklaratës së pavarësisë. Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e kritikoi fjalimin e Presidentit Biden. Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët!” Zoti Trump tha se, “Mashtruesi Joe Biden dhe gënjeshtarja Harris janë një turp i madh për Amerikën. Kurrë nuk kemi patur një periudhë si kjo”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha herët të mërkurën se çdo aludim për dorëheqjen e Presidentit Biden nga posti i tij përpara zgjedhjeve, që do të mundësonte që zonja Harris të kandidonte si presidente në detyrë, ishte “qesharak”. Zëdhënësja Jean-Pierre tha se Presidenti Biden “nuk është penduar” për vendimin e tij për të qëndruar në garë për aq kohë sa qëndroi, apo për vendimin gjatë fundjavës për t’u tërhequr. Ajo tha se vendimi i Presidentit Biden nuk kishte të bënte me shëndetin e tij.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...