Qendrat për emigrantët në Shqipëri s’duhet të ekzistonin! Italia ka dështuar...

E mërkurë, 06 November 2024 19:47
 

Prej vitesh Italia bën pjesë në listën e shteteve të BE-së që ka dështuar në menaxhimin e krizës së emigracionit të paligjshëm, por mbi të gjitha, në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Pavarësisht se disa gjykata italiane – së pari ajo e Romës dhe së fundi e Katanias – po e "rrëzojnë” marrëveshjen për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, kryeministrja italiane e së djathtës, Giorgia Meloni, duket këmbëngulëse për ta çuar atë përpara. Përmes një dekreti të pak ditëve më parë, Meloni projektoi ligjin më të ri të qeverisë italiane, i cili i "jep dorë të lirë” kësaj të fundit, që të konsiderojë vende të sigurta origjine të gjitha shtetet nga vijnë emigrantët e paligjshëm.

Marrëveshja pati shumë zëra kundër që pas çasteve të zyrtarizimit të saj në Romë, ku kryeministrja italiane dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, firmosën të buzëqeshur marrëveshjen dhe u shprehën më optimistë se kurrë për fqinjësinë e mirë ndër shekuj mes dy vendeve.

Organizatat më të mëdha në Evropë dhe botë, që merren me mbrotjen e të drejtave të emigrantëve, vijojnë të jenë kundër marrëveshjes dhe qendrave të ngritura në Shqipëri, aty ku do të përpunohen kërkesat e azilit për emigrantët meshkuj që vijnë kryesisht nga Mesdheu.

Flaminia Delle Cese, këshilltare ligjore pranë International Rescue Committee (IRC) për Italinë, thotë për Deutsche Welle se "vendimet e gjykatave italiane konfirmuan atë që IRC e thotë prej muajsh: qendrat italiane të ndalimit në Shqipëri nuk duhet të ekzistojnë”.

Në argumentimin e vendimit Gjykata e Romës, i pari institucion që i doli zyrtarisht kundër kësaj marrëveshjeje, iu referua një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, sipas së cilës "shtetet nga vijnë këta emigrantë, mund të konsiderohen si vende të sigurta origjine, vetëm kur respektimi i të drejtave të njeriut dhe siguria e individit njihet dhe pranohet në formë të njëtrajtshme”.

"Ky nuk ishte rasti për 12 vetët e mbajtur në mënyrë arbitrare në Shqipëri. Ky vendim është një rikujtesë e rëndësishme që gjithkush ka të drejtën themelore për të kërkuar azil në Evropë, e drejtë që duhet respektuar, pavarësisht se nga vijnë apo ku duan të arrijnë këta emigrantë” – thotë Delle Cese.

Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut

IRC, ashtu si shumë organizata të tjera ndërkombëtarë që merren me çështjet e migracionit, po monitoron nga afër marrëveshjen dhe zbatimin e saj në terren. Në bazë të këtyre vëzhgimeve, ata janë të shqetësuar se kategoritë vulnerabël – si fëmijët, gratë shtatzëna apo persona të tjerë - të cilët teorikisht nuk do të dërgohen në Shqipëri, nuk janë mjaftueshëm të sigurtë.

"Nga 16 emigrantët e parë të cilët u dërguan në Shqipëri më 16 tetor, dy rezultuan të ishin fëmijë dhe dy kishin probleme me shëndetin. Të gjitha këto u vunë re pasi ata arritën në Shqipëri. Nëse autoritetet dështuan menjëherë për të identifikuar fëmijë mes një grupi relativisht të vogël njerëzish, që i kanë mbijetuar trafikut apo torturës, apo persona me aftësi të kufizuara, atëherë imagjinoni sa të tillë do t'i shpëtojnë këtij ‘radari', sidomos kur të jenë në anije me më shumë njerëz” – thotë Delle Cese.

Italia ndër shtetet më problematike në trajtimin e emigrantëve

Në dekadën e fundit Italia listohet në raportet ndërkombëtare si një ndër shtetet më problematike në trajtimin e emigrantëve të paligjshëm që prekin brigjet e saj në forma nga më të rrezikshmet, shpeshherë duke humbur dhe jetën. Dërgimi i tyre në një vend jashtë juridikisionit të BE-së, e ndërlikon më tepër çështjen përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve, sipas organizatave ndërkombëtare.

"Ndalimi i njerëzve që kanë përjetuar tashmë një udhëtim traumatik për të arritur në Europë, vetëm shton më tepër vuajtjen e tyre” - thekson këshilltarja ligjore Delle Cese. Përveç shkeljes së të drejtave të njeriut, ekspertët janë skeptikë nëse një shtet si Italia, i cili brenda territorit të saj mezi menaxhon t'u plotësojë emigrantëve nevojat bazike, të mund t'ia dalë duke i dërguar ata në Shqipëri.

Diskriminim dhe racizëm

Pak ditë më parë, "European Commission against Racism and Intolerance” (ECRI), strukturë e Këshillit të Europës që monitoron çështjet e diskriminimit dhe të racizmit, publikoi raportin e gjashtë të monitorimit për vendet anëtare të saj. Në rastin e Italisë, pavarësisht disa përmirësimeve të evidentuara në raport, ECRI ngriti sërish shqetësime madhore rreth çështjes së emigrantëve dhe azil-kërkuesve.

"Diskursi publik është bërë ndjeshëm më ksenofob dhe fjalimet politike kanë marrë dukshëm ngjyrime përçarëse dhe antagoniste, veçanërisht duke vënë në shenjestër refugjatët, azil-kërkuesit dhe emigrantët, gjithashtu qytetarët italianë me prejardhje migracioni, si dhe persona nga komunitetet rom dhe LGBTI. Gjuha e urrejtjes, përfshirë këtu politikanë të niveleve të larta, mbetet shpesh e pasfidueshme” – thuhet në raportin e ECRI-së, në gjetjet e të cilit theksohet edhe ulja e besimit tek karabinierët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Në bazë të dëshmive të mbledhura në terren, ekspertët kanë vërejtur që narrativa politike negative, në masë, ndaj emigrantëve ka krijuar pengesa serioze dhe ka vënë në rrezik edhe punën e organizatave që mbështesin emigrantët.

"Fëmijët emigrantë janë më të ekspozuar ndaj bullizmit në shkolla dhe e braktisin sistemin arsimor më herët se fëmijët italianë. Dëbimet e detyruara të romëve në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, kanë vijuar. Ekzistojnë një sërë dosjesh të cilat hartohen mbi bazën e profileve racore nga ana e zyrtarëve të organeve ligjzbatuese, kryesisht ndaj komunitetit rom dhe njerëzve me prejardhje nga Afrika” – thuhet në raport.

Deutsche Welle iu drejtua Këshillit të Europës, për të ditur nëse ECRI do të ketë fokus të raportit të saj të ardhshëm marrëveshjen e emigrantëve Itali – Shqipëri dhe specifikisht ngritjen e dy kampeve të azilkërkërkuesve. Përmes e-mailit, një zëdhënës i KiE tha se nuk mund të bënin komente rreth kësaj pyetjeje. Ata theksuan megjithatë se i rekomandojnë Italisë ngritjen e një strukture të pavarur për të trajtuar çështjet me bazë diskriminimi racor.

"Agjencia që aktualisht funksionon si organ për çështjet e barazisë, përkatësisht Zyra Kombëtare kundër Diskriminimit Racor, vepron si një organ i shkëlqyeshëm koordinues qeveritar, por nuk mund të funksionojë si një organ i pavarur në përputhje me standardet e ECRI”- thanë për DW burimet.

Ndërsa International Rescue Committee, ka një tjetër sugjerim për Italinë. "Për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve në Mesdhe, qeveria italiane s'duhet të investojë në marrëveshje emigracioni të kushtueshme dhe aspak frytdhënëse me vendet e treta, por duhet të zgjerojë urgjentisht rrugët e sigurta, në mënyrë që njerëzit të mos detyrohen të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme” – thotë Delle Cese.

A është ky modeli i duhur?

"Mbajtja e njerëzve të bllokuar pas telave me gjemba - me qëllimin për t'i pasur larg syve dhe larg mendjes - nuk është zgjidhje e qëndrueshme për sfidat e migrimit të Europës. Ndërsa numri i njerëzve që mbërrijnë në Itali është zvogëluar muajt e fundit, është rritur numri i kalimeve të rrezikshme drejt Spanjës. Këto marrëveshje migracioni nuk i pengojnë njerëzit që të rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Europë. Ato thjesht i çojnë emigrantët në duart e trafikantëve, drejt rrugëve gjithnjë e më të rrezikshme” – argumenton përfaqësuesja ligjore e IRC-së.

Ajo dhe organizatat e tjera të ngjashme, i druhen këtij modeli, për të cilin vende të tjera evropiane kanë deklaruar publikisht "se po e shikojnë si mundësi”, përfshirë këtu edhe drejtuesen e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...