Presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump, përzgjodhi kandidaten që do të drejtojë Departamentin e Edukimit në SHBA.
Bëhet fjalë për Linda McMahon, e cila ka qenë pjesë e administratës së mëparshme të Trump. Bashkë me të shoqin ajo ka themeluar edhe ‘World Wrestling Entertainment’.
Trump tha se Linda McMahon do të rikthejë kontrollin e prindërve mbi mënyrën se si edukohen fëmijët e tyre.
“Është nderi im i madh të njoftoj se Linda McMahon, ish-drejtuese e Administratës së Biznesit të Vogël, do të jetë Sekretare e Arsimit e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Trump.
“Si Sekretare e Arsimit, Linda do të luftojë pa u lodhur për të zgjeruar mundësitë e zgjedhjeve në çdo shtet në Amerikë dhe për të fuqizuar prindërit që të marrin vendimet më të mira për arsimin për familjet e tyre”.
“Linda shërbeu për dy vjet në Bordin e Arsimit të Konektikatit, ku ajo ishte një nga pesëmbëdhjetë anëtarët që mbikëqyrte të gjithë arsimin publik në shtet, duke përfshirë sistemin e tij të Shkollës së Mesme Teknike”.
McMahon, e cila shërbeu si administratore e Administratës së Biznesit të Vogël në administratën e parë të Trump, është gruaja e Vince McMahon.
“Linda do të përdorë përvojën e saj prej dekadash për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të studentëve dhe punëtorëve amerikanë dhe për ta bërë Amerikën numrin një në arsim në botë”, përfundon deklarata e Trump.