ABC News është detyruar të paguajë 15 milionë dollarë për të zgjidhur një padi për shpifje që lidhet me komentet e bëra nga prezantuesi i saj, George Stephanopoulos, në lidhje me Presidentin Donald Trump.
Padia ka të bëjë me deklaratat e Stephanopoulos, i cili gjatë një interviste më 10 mars të këtij viti tha në mënyrë të gabuar se Trump ishte gjetur ‘përgjegjës për përdhunim’, duke e cituar një çështje civile të vitit 2023.
Si pjesë e marrëveshjes, ABC News ka rënë dakord të publikojë një deklaratë me ‘keqardhjen’ e saj për këto deklarata, ndërsa do të kontribuojë me 15 milionë dollarë për një fondacion dhe muze presidencial të krijuar nga Trump ose për të. Përveç kësaj, rrjeti do të paguajë 1 milion dollarë për tarifat ligjore të Trump.
Ngjarja ka lidhje me një vendim të një jurie që, në vitin 2023, e gjeti Trump përgjegjës për ‘abuzim seksual’ ndaj E. Jean Carroll, një ish-journaliste, por nuk arriti të provonte përdhunimin sipas përkufizimit të ngushtë të ligjit të Nju Jorkut.
Stephanopoulos kishte bërë deklaratën gjatë një interviste me kongresmenen Nancy Mace, duke e përsëritur atë më shumë se dhjetë herë. Kjo ngjarje ka çuar në një marrëveshje që hedh poshtë padinë e Trump kundër ABC News për shpifje.