Gjithçka në Jeruzalem duket se është gati për hapjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Aq në detaj është kuruar gjithçka, sa nuk mungojnë as tabelat rrugore që do i orientojnë drejtuesit e mjeteve drejt ambasadës.
Ambasada Amerikane në Jeruzalem do të hapet pikërisht pas një jave, në ditën kur do të festohet edhe 70 vjetori i themelimit të Izraelit.
Presidenti Donald Trump premtoi dhjetorin e kaluar se do ta zhvendoste Ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Ambasada pritet të hapet në vendin ku ndodhet aktualisht Konsullata amerikane në Jeruzalem, në lagjen “Arona”, pikërisht pas 7 dekadash që qëndronte e mbyllur.
Kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat, në një postim në “Twitter” të hënën, shkruante se ai kishte ndihmuar personalisht në vendosjen e tabelave, që janë shkruar në gjuhën angeze, hebraisht dhe arabisht.
“Kjo nuk është një ëndërr, është një realitet”, shkruante më tej ai. “Jeruzalemi është kryeqyteti i përjetshëm i hebrenjve dhe bota po fillon ta pranojë këtë fakt”, tha ai, para se të falenderonte Trumpin për lëvizjen.