Në Singapor mund të jetë vendtakimi i nivelit të lartë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-Un, që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm. Mediat në Korenë e Jugut, duke cituar burime të paidentifikuara, shkruajnë se SHBA-ja dhe Koreja e Veriut kanë rënë dakord që takimi të zhvillohet në Singapor javën e tretë të qershorit, kjo për të shmangur përplasjen me takimin e G7-ës që do të zhvillohet në Kanada në datat 8 dhe 9 qershor dhe atje pritet të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Trump. Të premten, Trump u tha gazetarëve se palët “kanë rënë dakort tashmë për datën dhe vendin e takimit”.
Ndërkohë, më parë ai pati thënë se zona e çmilitarizuar që ndan dy Koretë, mund të ishte një vend i mirë për takimin me udhëheqësin e Phenianit.