“Atëherë kur loja nxjerr më shumë se droga” është titulli i një artikulli të “Corriere della Sera”-s kushtuar çështjes që ka hapur një debat të gjerë në shtetin fqinj ku paratë e klaneve mafioze po investohen në baste.
Alarmi është dhënë nga Prokurori i Catanzaros, Vincenzo Luberto.
Disa organizata mafioze, të orientuara deri vonë te trafiku i lëndëve narkotike, kanë nisur tani të investojnë te lojërat e fatit, sepse aty fitohet më shumë.
Nga të gjitha hetimet e kryera dhe prania e një personeli me kapacitet të lartë teknik, është arritur të zbulohet se ka një monopol të krimit të organizuar, në sensin që kapot “ndrina”, njësia bazë e “Ndrangheta”-s në Kalabri, pretendojnë se janë të vetmit që menaxhojnë lojën “online”.
“Ne kemi të dhëna për persona, të cilët kanë nisur të përqëndrohen e të investojnë te këto lojëra, sepse ishin më fitimprurëse”, thotë prokurori.
Personi i shënjestruar në videolajmin e “Corriere della Sera”-s është Carlo Cattaneo, pronar i 4 agjencive bastesh, i cili është fotografuar duke dorëzuar parà të fituara nga ky aktivitet, e që kishin për destinacion të afërm të kryemafiozit Matteo Messina Denaro.
“Disa prej drejtuesve të këtij rrjeti e kanë kuptuar – vazhdon artikulli, – se jashtë kufijve mund të krijohet një rrjet edhe më i sigurtë”.
Për këtë arsye kanë zgjedhur Maltën, që është afër Italisë, ka më pak kontrolle, sistem më të butë taksash, licencat sigurohen më lehtë, e fitimet janë më të mëdha. Në njërin prej rasteve të cituara, ato llogariten të kenë qenë diku te 1.3 milionë euro brenda dy viteve.