Pompeo zbulon ofertën amerikane për Korenë e Veriut

Diel, 13 May 2018 21:00

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha të dielën se nëse Koreja e Veriut bie dakord për çnuklearizim të plotë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme “t’i ofrojnë garanci sigurie” qeverisë së Phenianit dhe të lejojnë firma private amerikane të investojnë për të modernizuar rrjetin e dobët dhe të vjetëruar elektrik të vendit.

“Ky është një pakt që prej 25 vjet mbahet pezull në pritje të zbatimit,” tha zoti Pompeo në një intervistë për rrjetin Fox News.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se deri sa erdhi në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump, “asnjë president nuk ka qenë në gjendje ta pozicionojë Amerikën në atë mënyrë sa që udhëheqja koreano-veriore ta mendonte këtë të realizueshme realisht, duke i hapur rrugën mundësisë që Amerika të mos jetë e kërcënuar nga regjimi koreano-verior. Ky është synimi”.

Pas dy takimeve që ka zhvilluar me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un në Phenian, zoti Pompeo tha se është i bindur se udhëheqësi Kim “ka të njëjtin objektiv me popullin amerikan” në këtë drejtim.

Zoti Pompeo tha se synimi i takimit mes udhëheqësve Trump dhe Kim më 12 qershor është të “përcaktojnë kornizën” në bazë të së cilës të negociohen dhe finalizohen termat e çnuklearizimit dhe garancive për sigurinë.

Login to post comments