Anija spanjolle “San Hose”, e fundosur prej më shumë se 300 vjetësh në Detin e Karaibeve, jo shumë larg bregdetit të Kolumbisë, është gjetur me ndihmën e një mjeti autonom nënujor, njoftoi sot Instituti i oqeanografisë WHOI.
Zëvendëspresidenti i këtij instituti Rob Munier tha se lajmi ishte mbajtur sekret për tre vjet që nga gjetja, ‘në shenjë respekti’ ndaj qeverisë së Kolumbisë.
“San Hose” gjatë betejës me anijet britanike më 8 qershor 1708 u fundos së bashku me 600 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Anija kishte me vete ar dhe argjend me vlerë 17 miliardë dollarë dhe është çështje e kontestit juridik ndërmjet disa kombeve dhe kompanive private.
Para disa javësh, UNESCO i bëri thirrje Kolumbisë që të mos eksplorojë mbetjet e anijes, vendndodhja e së cilës ishte sekret shtetëror. Thesari i paprekur për momentin ndodhet në fund të detit, transmeton AP.
Vendndodhja e saktë e anijes konsiderohej për një kohë të gjatë si një nga misteret më të mëdha detare.