×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 61

Takimi historik, Trump mendon shtyrjen. Pompeo ka ende shpresë

E mërkurë, 23 May 2018 12:05

Takimi historik i planifikuar të mbahet pas 3 javësh mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un, u vu në pikëpyetje të martën, pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë la të kuptohej se përgatitjet mund të mos përfundonin në kohë.

“Ka një rrezik të madh që gjërat të mos funksionojnë”, deklaroi ai nga Zyra Ovale, ku ndodhej për bisedime delikate me homologun koreano-jugor, Moon Jae-in.

“Kjo nuk do të thotë se nuk kanë për të funksionuar në kohë, por mund të mos arrijnë 12 qershorin”, ishte komenti i Trumpit.

Disa orë më vonë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u përpoq të zbuste situatën e të hidhte një vështrim më praktik mbi takimin.

Kryediplomati amerikan këmbënguli se 12 qershori vazhdon të mbetet një objektiv real. “Po punojmë në mënyrë që të sigurohemi se do të ketë mirëkuptim të përbashkët mbi çështjet në diskutim, por unë vet jam optimist”,- u shpreh ai.

Politikisht, Trump ka investuar shumë në suksesin e takimit. Por, ndërsa data po afrohet, dallimet mes palëve dhe pritshmëritë tejet të larta po bëhen më të qarta.

Suksesi mund të çojë në paqe në gadishullin Korean dhe t’i japë fund kërcënimit për luftë bërthamore. Dështimi mund të shkatërrojë të gjitha shpresat për një zgjidhje paqësore të krizës.

“Nuk dimë nëse do të ketë marrëveshje – tha Trump. – Unë kam bërë shumë marrëveshje, por nuk i dihet”.

Login to post comments