Banka më e madhe gjermane, “Deutsche Bank” ka njoftuar shkurtimin e mbi 7.000 vendeve të punës, me synimin që huadhënësi më i madh i Gjermanisë të mund të rikthehet me fitim.
Banka ka bërë të ditur se do të reduktojë nivele të ndryshme të stafit në mbarë botën, duke i ulur nga mbi 97 mijë, në më pak se 90 mijë. Por, banka gjermane, e cila ka një staf punonjësish prej 8.500 vetësh në Britani, nuk ka specifikuar se cilat vende do të preken nga shkurtimi në fjalë.
“Deutsche Bank” numëron mbi 66 mijë të punësuar në Europë, përfshi 42 mijë në Gjermani, plot 21 mijë në Azi dhe rreth 10 mijë në Amerikën e Veriut.
Shkurtimi i vendeve të punës është lëvizja e parë e bërë nga shefi ekzekutiv, Christian Sewing, i cili u ngjit në këtë rol muajin e kaluar, pas shkarkimit të paraardhësit të tij John Cryan.
Kërkimi për zëvendësuesin e tij thuhet të ketë nisur pasi banka raportoi një humbje vjetore prej 500 milionë eurosh në fund të muajit shkurt. Kjo vjen pas humbjeve prej 1.4 miliardë eurosh në vitin 2016 dhe 6.8 miliardë eurosh në vitin 2015, si pasojë e ristrukturimit dhe kostove gjyqësore.
“Deutsche Bank” sinjalizoi për shkurtimin e vendeve të punës muajin e kaluar, kohë kur Sewing tha se “do të jetë diçka e dhimbshme, por fatkeqësisht e pashmangshme”.
“Mbetemi të angazhuar ndaj Bankës së Korporatave dhe Investimeve dhe ndaj pranisë sonë ndërkombëtare, e në këtë pikë jemi të palëkundur. Ne jemi alternativa e Europës në tregjet ndërkombëtare financiare dhe ato të kapitalit. Gjithsesi, ne duhet të përqëndrohemi te gjërat që bëjmë më mirë”,- tha të enjten Sewing.