Një i ri gjeti vdekjen ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat me armë, mesditën e së mërkurës në Williamsburg, SHBA.
Tre të rinj, dy të moshës 19-vjeçare dhe një 21-vjeçar u qëlluan me breshëri plumbash, në atë që policia e konsideroi si ngjarje e lidhur me bandat.
Një prej 19 vjeçarëve mori plumb në kokë dhe humbi jetën në spital, ndërsa dy të rinjtë e tjerë mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Një banore e zonës, e cila kishte dëgjuar të shtënat kishte shkuar në ndihmë të 19-vjeçarit, por pa mundur ta shpëtonte.
“Po merrte ende frymë kur shkova atje, lëvizte ende”, rrëfeu gruaja. “I thashë qëndro me mua, por ai po shuhej. Nuk mund t’i shihja sytë, kishte gjak gjithandej”, shtoi ajo.
Policia mësohet se gjeti me dhjetëra gëzhoja në vendngjarje, ndërsa mbeten të paqarta shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.