Është thelluar më tej kriza politike në Itali, një ditë pasi Giuseppe Conte vendosi të heqë dorë nga formimi i qeverisë, pas vendimit të presidentit Matarella për të mos lejuar një euroskeptik si Paolo Savona, që të drejtojë ministrinë e Financave.
Menjëherë pas dorëheqjes së Contes, lideri i Lëvizjes “Pesë Yjet”, Luigi Di Maio ka kërkuar hetimin e presidentit Matarella bazuar në nenin 90 të Kushtetutës, që i lejon Parlamentit t’i kërkojë Kreut të Shtetit dorëheqjen që më pas të hetohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Dëshiroj që kriza institucionale të zgjidhet në Parlament dhe Presidenti të gjykohet. Përse të mos themi që në këtë vend është e kotë të votosh, pasi qeveritë këtu zgjidhen nga agjencitë e rejtingut dhe lobet financiare”, deklaroi Di Maio përmes një mesazhi në “Facebook”.
Ndërkohë aleati i tij në koalicion, deri dje armiku kryesor i Di Maios, Mateo Salvini nga “Lega Nord”, kërkoi zgjedhje të reja. Në një fjalim përpara mbështetësve, ai e vuri theksin te zgjedhjet.
“Në një demokraci, nëse mund ta quajmë demokraci këtë, vetëm diçka mund të bëhet. Të lejojmë Italianet që të vendosin”.
Presidenti Matarella mund të emërojë tani një kryeministër të përkohshëm deri në zgjedhje të tjera, që sipas analistëve vendas ka shumë të ngjarë të ndodhin. Matarella ka thirrur Carlo Cottarellin, një ish-drejtor ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar për të formuar qeverinë e përkohshme.
Italia, ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës është pa qeveri që nga zgjedhjet e muajit mars, pasi asnjë grup politik nuk ka arritur të ketë shumicën.