Fotoja përfundoi e vendosur në mur me një shirit të zi! Por tashmë kolegëve u duhet ta heqin sërish.
Gazetari rus, Arkady Babchenko, i cili u raportua të ishte ekzekutuar në Kiev gjatë mesnatës mes të martës dhe të mërkurës, i befasoi të gjithë kur u shfaq i gjallë në televizion.
Kreu i shërbimeve sekrete ukrainase, Vasyl Hrytsak u tha reporterëve se “vrasja” ishte inskenuar për të ekspozuar agjentët rusë.
“Sipas informacioneve të siguruara nga shërbimi ukrainas i sigurisë, vrasja e gazetarit rus, Arkady Babchenko, ishte urdhëruar nga vet shërbimet ruse të sigurisë”,- tha Hrytsak.
Babchenko u raportua të ishte gjetur i përgjakur nga bashkëshortja e tij në hyrjen e një blloku apartamentesh ku ata banonin, i qëlluar disa herë me armë zjarri pas shpine, e se kishte ndërruar jetë gjatë transportit me ambulancë për në spital.
Pasi e panë të gjallë në televizon Babchenko, kolegët e tij shpërthyen menjëherë në festë në redaksinë e tyre në Kiev.
Ata nuk kishin asnjë informacion mbi të vërtetën, madje për këtë gazetari nuk kishte njoftuar as bashkëshorten e tij. “Faljen më të madhe dua t’ia dedikoj gruas sime”,- tha ai.