Danimarka është bërë shteti i radhës europian që miraton një ligj, që ndalon mbulimin e plotë të fytyrës për besimtaret myslimane, përmes veshjes specifike të njohur si burka.
Ligji u miratua me 75 vota pro dhe 30 kundër në Parlament gjatë kësaj të enjteje, e do të hyjë në fuqi nga data 1 gusht. Ata që do të shkelin këtë kufizim do të detyrohen të paguajnë një gjobë prej 1.000 krona, rreth 157 dollarë, ndërsa në rast përsëritjeje gjobat do të 10-fishohen.
Teksti i legjislacionit të ri nuk përmend në mënyrë specifike femrat myslimane, por thekson se “kushdo që vesh një mbulesë që fsheh fytyrën në ambiente publike do të ndëshkohet me gjobë”.
Duke folur në lidhje me ligjin, ministri danez i Drejtësisë, Soren Pape Poulsen tha:
“Bazuar mbi vlerat, unë e kanalizoj diskutimin te fakti se çfarë lloj shoqërie duhet të ndërtojmë, pa ndryshuar rrënjët e kulturës sonë. Që do të thotë se ne nuk e fshehim fytyrën dhe sytë përpara të tjerëve, por ne duhet të shohim cilindo në fytyrë dhe të mund të kuptojmë shprehitë mimike, gjë që është një vlerë në Danimarkë”.
“Amnesty International” e ka përshkruar votimin në Danimarkë si një “shkelje diskriminuese e të drejtave të grave”.
Por, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut la në fuqi vitin e kaluar ligjin belg që ndalon mbulimin e plotë të fytyrës, duke thënë se harmonia sociale në këtë vend respekton të drejtat individuale për shprehjen e besimit fetar.
Por, cilat janë vendet e tjera me ligje të ngjashme në Europë? Franca ishte vendi i parë europian që ndaloi me ligj mbulimin e plotë të fytyrës në vende publike në prill të vitit 2011, plot 7 vite pasi miratoi një ligj që ndalonte simbolet e dyshimta fetare në shkollat shtetërore.
Shembulli francez u ndoq pak muaj më pas nga Belgjika, që e bëri të paligjshëm veshjen që mbulon identitetin e një personi në vende publike. Ndalime të plota apo të pjesshme janë miratuar edhe në Austri, Bullgari dhe shtetin jugor gjerman të Bavarisë, ndërsa Parlamenti danez e kishte miratuar në parim një ligj të tillë në fund të vitit 2016, në pritje të aprovimit nga dhoma e lartë e Parlamentit./TCH