×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Këtë shkrim duhet ta lexoni ngadalë

Premte, 14 September 2018 20:30

Në këtë kohë të frikshme, kur mendojmë se po bie përherë e më shumë përqendrimi i vëmendjes sonë, është koha të ndalemi së shfletuari nëpër faqe elektronike e të lexojmë ngadalë – sepse kjo do të jetë e dobishme për ne, thotë studiuesi Joe Moran, transmeton Telegrafi.

A jemi të mallkuar që të lexojmë si të hutuar në epokën digjitale? Teknologjia po e pengon leximin e ngadaltë dhe të thellë. Të shkosh poshtë në një faqe interneti, përmes gishtit tuaj, ka më pak ndjeshmëri se të kalosh nëpër faqet e librit. Leximi në ekran, sidomos në ekranin e telefonit, t’i lodhë sytë dhe e bën më të vështirë përqendrimin. Prandaj, shkrimi në internet ka prirje të jetë më i cekët se ai i shtypit. Në krye të një artikulli në internet, shpesh thuhet se sa kohë do të na mbajë, duke paralajmëruar se fjalët më poshtë janë një “lexim 15 minutësh”. Lexuesi online është SHGJ; NL. Shumë gjatë; nuk lexohet!

Studiuesja e neuroshkencës kognitive, Maryanne Wolf, ka thënë së fundmi se kjo “normë e re” e leximit shkel e shko po prodhon një “transformim të padukshëm e të papritur” të mënyrës se si i procesojmë fjalët. Qarku neuronal që përforcon kapacitetin e trurit për të lexuar, tani favorizon gëlltitjen e shpejtë të informacionit – në vend të aftësive të nxitura nga leximi i thellë, si analiza kritike dhe empatia.

Nuk duhet t’i anashkalojmë këto rreziqe. Të gjithë lexojnë kalimthi. Kjo është aftësia që fitojmë si fëmijë, para se të mësonim të lexojmë në mënyrë të sofistikuar. Prej moshës nëntëvjeçare, sytë tanë kapërcejnë nëpër faqe, duke lexuar rreth një të katërtën e fjalëve në mënyrë korrekte dhe duke i plotësuar mangësitë nga përfundimi. Një nga mrekullitë e vogla të leximit të heshtur është se ne mund ta bëjmë atë në mënyrë të shpejtë dhe ende të dëgjojmë fjalët në kokën tonë. Leximi i shpejtë është pjesë e aktit virtuoz të njeriut.

Nuk ka ndonjë gjë të re në frikën për rënien e vëmendjes. Deri tani, kjo frikë doli të jetë alarm i rremë. “Disa kritikë janë të shqetësuar në lidhje me uljen e përqendrimit të vëmendjes dhe i shohin tregimet e shkurta si shenja të dekadencës kulturore – bonbone për lexuesit dembelë”, ka shkruar autori amerikan Charles Baxter, më 1989, në një parathënie të një antologjie. “Askush nuk tha kurrë se sonetet apo haikët ishin dëshmi e kësaj”.

Megjithatë, interneti ka ndryshuar mënyrën se si lexojmë. Si fillim, kjo do të thotë se ka më shumë për të lexuar, sepse njerëzit më shumë se kurrë janë duke shkruar. Nëse udhëtoni për disa dekada në të kaluarën, do të habiteni se sa pak shkrime kishte jashtë një grupi. Nuk do të shihni njerëz të ulur në kafene duke shkruar shpejtë në laptop apo duke përditësuar rrjetet sociale me lajmin kryesor të jetës së tyre. Mund ta shihni personin e rëndomtë duke nënshkruar një çek apo duke lënë një takim në notes. Por, shumica e shkrimeve ishin nga profesionistët dhe shfaqeshin veç në shtyp.

Në epokën analoge, shkrimi u lexua shumë më vonë pasi është shkruar. Shkrimi digjital ka për qëllim lansimin dhe përgjigjen e shpejtë. Postimi ose cicërima është formë virtuale e një bisede me shkëputje. Një artikull në internet krijon komente më poshtë, menjëherë pasi është publikuar. Kjo mënyrë e të shkruarit dhe leximit mund të jetë demokratike, interaktive dhe argëtuese. Por, shpesh i trajton fjalët e njerëzve të tjerë për të thënë diçka tjetër. Gjithkush flet për gjithçka, sepse janë të lodhur për të dëgjuar.

“Poema është një ndërprerje e heshtjes, derisa proza është vazhdimësi e zhurmave”, tha një herë poeti Billy Collins. Poetët dhe mendjet e prozës lirike e shohin fjalën e shkruar siç e shohin adhuruesit kuakerë fjalën e folur: ata e mendojnë si më të fuqishme nëse del jashtë dhe nëse është e ndarë nga heshtja. Duke shkruar dhe lexuar në internet, ne përpiqemi ta gjejmë heshtjen nga e cila fjalët mund të materializohen dhe të parashikohen. Ka shumë fjalë dhe reagime, jo mjaftueshëm dëgjim dhe reflektim.

Mbase duhet të ngadalësojmë. Dëgjojmë shumë sot për ringjalljen e virtyteve të humbura të ngadalësisë – për shembull, koha e kaluar në shitore dhe përgatitja e një vakti, ose duke i lënë fëmijët të eksplorojnë botën pa mbikëqyrje dhe në ritmin e tyre. Por, lëvizja e leximit të ngadaltë duhet të kuptohet pak më ndryshe. Leximi vazhdimisht promovohet si një e mirë shoqërore dhe një burim i përmbushjes personale. Por, ky avokim shpesh thekson leximin “e zjarrtë”, “të pasionuar” ose “të etshëm ” – asnjëri prej të cilëve mbiemra nuk sugjeron ngadalësim, përvetësim!

Kohët e fundit jam përpjekur – me vështirësi, sepse për nga natyra jam lexues herë i “lodhtë” e herë i shpejtë – për të lexuar më ngadalë. E kërkoj margjinën me gishtin tim, teksa lexoj, si një lexues që mëson, kështu që mund të ndalem dhe të mendoj për atë që sapo kam lexuar, duke mos e humbur thelbin. Shpesh lexoj me zë të lartë, ose të paktën lëviz buzët e mia, edhe nëse kjo do të thotë të kesh pamje të çuditshme në vendet publike. Leximi me zë të ngadalëson dhe ju detyron t’i vini re fjalët, t’ua japësh atë lloj të vëmendjes që shkrimtari e dha. Kështu Shekspiri duhet të mësohet e lexohet në shkollë – mësim mekanik i artit të stolisjes së fjalës, të dish se si fjalët ndjehen në gojë para se të skaliten në kuptim dhe logjikë.

Shkrimi online shpesh është projektuar si “për shtëpi” ose “rrugës”, apo për “mundje” të një pjese tjetër. Shumica e komenteve më poshtë përqendrohen në atë nëse komentuesi pajtohet me shkruesin. Rrallë përmend ai se çfarë pjese të shkrimit kishte lexuar dhe pëlqente.

Për një lexues të ngadalshëm, media nuk mund të shkëputet nga mesazhi. Një shkrim nuk është thjesht një “marrje” me diçka, por stërvitje retorike në paqe, ritëm, ton, cilësi dhe zë. Mund të kuptohet duke e zhytur veten në fjalë dhe në zbulimin e ngadaltë të një linje mendimi. Lexuesi i ngadalshëm është si një notues që ndalon numërimin e kalimeve që ka bërë në pishinë, por që kënaqet se si trupi ndjehet tek lëviz në ujë.

Lëvizja e ngadaltë për mua është si formë bujare e kolegjiale e leximit – sikur që dëgjimi është më bujar se të flasësh, dhe më i vështirë. Lexim i ngadaltë i jep dikujt tjetër (shkruesit) dhuratën e kohës suaj, edhe nëse mund të mërziteni ose të shqetësoheni nga të vështirësia e shkrimit. Leximi i ngadaltë është një takim gradual me mendjen e personit tjetër. Si çdo takim, kërkon një kohë dhe do të ketë fundin e vet.

Nevoja njerëzore për këtë lloj leximi të thellë është këmbëngulje për të ndaluar shkatërrimet e teknologjisë së re. Ne shpesh pretendojmë se ndryshimet teknologjike ndodhin në mënyrë të pashmangshme dhe në një drejtim, kështu që mediat më të vjetra, si librat, duhet të shuhen nga format e reja virtuale. Në praktikë, teknologjitë e vjetra janë elastike dhe mund të bashkëjetojnë me ato të rejat. Kindle nuk i ka eliminuar librat e shtypur, sikur që vetura nuk e eliminoi biçikletën.

Kur televizori digjital doli 20 vjet më parë, shumica e njerëzve mendonin se shikuesit do bombardohen me qindra kanale dhe se televizioni do të duhej të ishte i shpejtë dhe i zëshëm për të tërhequr vëmendjen. Në fakt, suksesi më i madh i epokës digjitale kanë qenë dramat e gjata, me tema të ndryshme, të cilat kërkojnë angazhim të madh intelektual dhe emocional të shikuesve. Ashtu si me shikimin e thellë, uria për leximin e thellë vazhdon. Ende lexojmë romane intriguese dhe të angazhuara. Ne ende kërkojmë shkrime analitike në internet që i rezistojnë impulsit për të reduktuar gjithçka në koment. Ne ende duam të shijojmë idetë e ngadalta dhe fjalët e zgjedhura me kujdes. Edhe në këtë epokë të shpejtë, ka shumë kohë për leximin e ngadalshëm. /Telegrafi/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...