Fustani i famshëm blu velvet i Lady Diana-s ka dalë sërish në shitje. Fustanin e dizenjuar nga Victor Edelstein princesha e veshi për herë të parë në 1985-ën, në Shtëpinë e Bardhë, ku kërceu me John Travolta-n. Vallëzimi i saj me aktorin e njohur bëri xhiron e botës asokohe dhe ai e përshkroi eksperiencën si një përrallë. Por kjo nuk është hera e vetme që Diana është shfaqur në publik me atë fustan që u quajt i guximshëm për një princeshë, për shkak të dekoltesë së hapur.
Ajo e ka veshur edhe në katër raste të tjera, duke përfshirë një vizitë në Austri në vitin 1986, në një shfaqje opere në 1991-shin dhe për portretin e realizuar nga Lord Snowden, në 1997-ën.
Në qershor të vitit 1997, vetëm dy muaj para vdekjes së saj, Diana e nxori fustanin në ankand për 100,000 paund. Paratë e fituara nga ankandi shkuan për bamirësi. Një biznesmene nga Florida, e quajtur Maureen Dunkel e bleu fustanin dhe e nxori sërish në ankand në vitin 2011 kur ajo falimentoi. Megjithatë, fustani nuk u shit deri në mars të 2013-ës, kur një burrë britanik e bleu për 240,000 paund, si një dhuratë për bashkëshorten e tij.