Nga Sadi Hoti
A duhet të shqetësohen shqiptarët për marrëveshjen e detit?
Marrëveshja për caktimin e kufirit detar mes Shqipërisë e Greqisë po i afrohet fundit. Kryeministri grek Tsipras e pohoi, duke sqaruar se, kjo marrëveshje do i sigurojë vendit të tij zonën ekonomike me rezerva të mëdha nafte, e territori detar do të zgjerohet nga 6 në 12 milje. E thënë ndryshe, Shqipërisë do i hiqen mijëra km2 territor detar. Deklarata e Tsipras u pasqyrua në mediat tona me titujt, “shpërthejnë mediat greke” të shqetësuara për marrëveshjen me Shqipërinë. Ngjan si humor, por grekët po shqetësohen se marrin mijëra km2 , ndoshta edhe kanë të drejtë se i duket pak, ndërsa mediat shqiptare mjaftohen me jehonën e shqetësimit të kolegëve greke.
Përveç ish-kryeministrit Berisha, që vazhdimisht denoncon këtë marrëveshje poshtëruese e të padrejtë, të tjerët heshtin sikur kanë marrë dhuratë nga një “kalë troje”. Heshtin partitë e shoqatat patriotike, shoqëria civile, profesorët e studentët, hesht edhe ish- koloneli i famshëm në pension që u bë copë për të rrëzuar marrëveshjen e parë. Aq më pak të organizohet dikush, kur një “copëtim” në tavolinë është i afërt, dhe “gjeneral” Rama e ka humbur betejen që kur pretendonte për zero probleme me fqinjët sidomos para hapjes së negociatave me BE (Bashkimin Europian). Mbyllja e problemeve para negociatave është një mashtrim i rëndomtë i një BE që ka marrë pamjen e Presidentit të Komisionit Juncker, një i moshuar i respektuar që qëndron në këmbë i ndihmuar nga të tjerët. Në të vërtetë Europa nuk ka ndonjë interes të mbrojë territorin shqiptar, për ato një Shqipëri më e vogël e Greqi më e madhe nuk përbën ndonjë diferencë.
Në një moment të rëndësisë kombëtare për shqiptarët, opinioni publik po merret me probleme dytësore, të përkohshme dhe të parëndësishme krahasuar me humbjen e territorit. Megjithatë, Shqipëria ka ligje dhe ka institucione që kanë detyrim ligjor dhe objekt të punës mbrojtjen e sovranitetit e garantimin e territorit.
Territori nuk humbet vetëm me agresion ushtarak nga jashtë, por edhe ashtu siç po ndodh sot, në vend të tankeve janë tavolina luksoze “bisedimesh” e “negociatash”, thirrjet nacionaliste e shoviniste janë zëvendësuar me termat e sheqerosura të integrimit, e po negociohet e shkëmbehet realja me irealen. Qeveria shqiptare po shkëmben detin faktik me rezervat e mëdha nën-ujore (edhe sikur të ishte ujë e kripë do kishte të njëjtën vlerë) me Epirin e Veriut që nuk ekziston e me ligjin e luftës pa kuptim.
Komisionet përkatëse parlamentare nuk duhet të humbin kohë me dëgjesa pavlerë, por të thërrasin ministrin e jashtëm e të kërkojnë sqarime duke filluar që nga stafi filogrek që ai zgjodhi me dorën e vet në pozicionet drejtuese të ministrisë e komisionin e negociatave me Greqinë, deri tek teksti i plotë i projektmarrëveshjes.
Po ashtu, komisioni përkatës parlamentar duhet të thërrasë e të kërkojë sqarime nga drejtori i SHISH, duke i kujtuar se, në bazë të ligjit nr.8391, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar (ndryshuar), neni 3, institucioni që ai drejton, “…. kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit ….”.
Gjithashtu, t’i kujtohet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm se, në bazë të Kushtetutës, Neni 12, pika 1, Forcat e Armatosura,. …mbrojnë tërësinë territoriale.
Të gjithë ato që janë pjesë e negociatave nga lart deri poshtë duhet të mos harrojnë se, bazuar në Kodin Penal, Kreu V, Neni 208, “dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, …. dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”.
Territori shqiptar nuk është pronë e askujt, Shqipëria nuk është monarki, e kryeministri Rama nuk mund të sillet si mbret, megjithëse është nipi i shoferit të ish-mbretit. Kushtetuta në nenin 2, pika 1, e përcakton se sovraniteti i përket popullit, e ndonëse qeveria mendon se ka të drejtë ta ushtrojë atë sovranitet bazuar në pikën 2, “populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij” të mos harrojë se fjalia vazhdon, “ose drejtpërsëdrejti”. E shprehja “drejtpërsëdrejti” nuk nënkupton referendumin, sepse neni 151, pika 2…. “Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë…. nuk mund të shtrohen në asnjë referendum”, por forma të tjera që popullit do t’i imponohen të zgjedhë. Atëherë, ndoshta edhe grekët do ta lexojnë siç duhet historinë e do ta marrin vesh se ka pasur Epir të Veriut edhe Epir të Jugut, dhe epirotët nuk kanë qenë grekë, por shqiptarë.
*Specialist për sigurinë