Redaksionale
Dorëheqja e sotme e Fatmir Xhafajt si ministër i Punëve të Brendshme e kapi si të papritur opinionin publik. Jo se largimi i tij është ndonjë lajm i keq por me mbrojtjen që po i bënte e tërë qeveria dukej se nuk do ta shisnin kaq lehtë.
Rama nxitoi të njoftonte ministrin e ri të Brendshëm, i cili do të jetë Sandër Lleshi. Në fakt kush është ky Lleshi? Pse Rama e vendos me kaq urgjencë ministrin e ri të Brendshëm dhe pse pikërisht këtë njeri?
Në fakt gjithçka është e shpjegueshme shumë thjeshtë dhe shpjegimi nis i tëri me situatën që po përjeton Edi Rama na këto momente. Rama është pranë kapitullit, i kapur peng nga krimi, i vënë me shpatulla pas murit nga opozita dhe ndërkombëtarët, po shkojnë drejt fundit, pas hekurave.
Dhe për të bërë përpëlitjet e fundit në tentativë të dëshpëruar për të shpëtuar Rama zgjedh Sandër Lleshin. Rama i duhet ky njeri i cili njihet në të gjithë karrierën e tij, në të gjitha postet e rëndësishëm shtetërore që ka mbajtur si një servil dhe shërbëtor i devotshëm i eprorëve të tij.
I duhet të jetë i tillë, sepse puna që Lleshi ka përpara do të jetë e rëndësishme. Ai ka një lidhje shumë të fortë me Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, dhe për këtë arsye është njeriu perfekt i Edi Ramës në misionin që ky i fundit i ka vënë përpara.
Sandër Lleshi dhe Arta Marku vijnë të dy nga e njëjta zonë influence dhe lidhje me prokurorët. Bashkë me prokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela, do të jenë treshja perfekte e Edi Ramës që të kopsisin dosjet sipas dëshirës.
Rama do të fshehë dhe të mbyllë çdo lloj dosje të pamerituar në vend të atyre të merituara, të mbyllë të gjitha dosjet që vërtetojnë lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe trafikantët më të mëdhenj në vend.
Me Fatmir Xhafën nuk ishte e njëjta gjë. Ai ishte një pengesë shumë e madhe për Ramën. Sandër Lleshi, me miken e tij Arta Marku, do të tentojnë të rikuperojnë shpejt të gjitha ato allishverishe që Rama nuk i bëri dot deri tani me Xhafën. 55news.al