"Shqiptarët kanë shumë gjëra për t’i mësuar Europës Lindore"

Hënë, 03 December 2018 16:49

Bernd Fischer/

Në përvjetorin e njëqindtë të armëpushimit, që i dha fund Luftës së Parë Botërore, vihet re një ringjallje e interesit për nacionalizmin. Ky vjen si një zhvillim i mirëpritur, pasi duket se po përjetojmë një ringjallje edhe të vetë konceptit, sidomos në ato pjesë të botës ku përdorimi i këtij koncepti ishte dobësuar.

Në Itali, Matteo Salvini, zëvendëskryeministri nacionalist, ka kthyer mbrapsht anijet e emigrantëve dhe ka bërë thirrje për dëbimin e romëve. Në Hungari, kryeministri Viktor Orban flet për një “pushtimin musliman” dhe me krenari flet për versionin e tij të “demokracisë joliberale”. Në Gjermani, ekstremi i djathtë është bërë zëri kryesor i opozitës në parlament dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është vetëshpallur si nacionalist krenar. Këto zhvillime kanë alarmuar shumë njerëz, përfshirë presidentin Macron të Francës, i cili kohët e fundit e përshkroi nacionalizmin si tradhëti ndaj patriotizmit, si e kundërta e patriotizmit. Ai mund të ketë të drejtë.

Nuk ekziston një përkufizim i qartë për nacionalizmin. Fillimisht u zhvillua në Europë, si një reagim i papritur ndaj luftërave Napoleonike. Pjesa më e madhe e teorisë u zhvillua në Gjermani, ku kemi parë sukseset dhe ekseset më të mëdha të nacionalizmit. Themelet teorike u vendosën kryesisht nga Johann Herder dhe J. G. Fichte. Herder shkroi për atë që ai e quajti “Volksgeist” ose ‘shpirti i popullit’, duke argumentuar se çdo komb kishte genin e vet krijues, një frymëzim për nacionalizmin e hershëm romantik, kulturor dhe liberal.

Ndërsa Herder qëndroi larg nga gjykimet e vlerave, Fichte shtoi tezat racore, duke sugjeruar se gjermanët kishin një fat të veçantë politik dhe kombëtar. Ky version nxiti nacionalizmin agresiv, konservativ dhe politik të Bismarkut.

Në një kuptim të përgjithshëm, nga pikëpamja psikologjike, nacionalizmi është i rrënjosur në identitetin etnik, në një gjuhë të përbashkët, histori të përbashkët, në tradita dhe në aspiratat e përbashkëta për të ardhmen. Në aspektin shoqëror dhe ekonomik, nacionalizmi u rrënjos në rritjen e popullsisë urbane dhe në sekularizimin e kulturës së klasës së mesme. Në njëfarë mënyre, nxiste edhe mësimin e shkrimit dhe leximit, pasi nuk mund të jesh nacionalist efektiv nëse nuk di të lexosh. Në aspektin politik, u përdor për të promovuar interesin kombëtar dhe parimin e kombit shtet, si dhe kufijtë politikë që përfshijnë një njësi etnike. Ka disa elementë pozitivë lidhur me nacionalizmin. Inkurajoi zhvillimin e vetëdijes kulturore si dhe fillimet e një ekonomie kombëtare. Por, sipas vlerësimit tim, aspektet negative tejkalojnë pozitivet. Nacionalizmi solli shovinizmin agresiv, tendencat imperialiste, militarizmin dhe luftën. Kontribuoi edhe në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore dhe më së fundi, në luftërat e shkatërrimit të Jugosllavisë.

Por, ç’mund themi për patriotizmin? Termi përshkruhet pothuajse si një dashuri ndaj vendit, dhe jo ndaj kombit. Nacionalizmi nuk është si patriotizmi, kryesisht sepse bazohet në ekskluzivitetin etnik, ndërsa patriotizmi bazohet në përfshirjen etnike.

Me fjalë të tjera, është e mundur të bëhesh amerikan, kanadez ose francez, ndërsa të bëhesh serb apo kroat është e pamundur. Të tillë, ose jeni, ose nuk jeni. Patriotizmi pati një prirje për të zëvendësuar nacionalizmin në pjesën më të madhe të Perëndimit, pjesërisht për shkak të ndikimeve të Rilindjes, Iluminizmit dhe Revolucionit Francez. Në ato zona të Europës Lindore, të cilat ishin më pak të ndikuara nga lëvizjet e mësipërme, kohezioni social vazhdonte të bazohej në përkatësi etnike dhe fetare.

Nacionalistët fitojnë adhurues nëpërmjet mashtrimit, përmes historicizmit, ose shtrembërimit të plotë të historisë. Me fjalë të tjera, ata kërkojnë mbështetje përmes frikës dhe gënjeshtrave, pothuajse njëlloj si argumentet përmbyllëse të presidentit Trump në prag të zgjedhjeve të fundit afatmesme në Shtetet e Bashkuara. Ndonëse Trump nuk e kupton plotësisht nacionalizmin, ai duket se ka përqafuar disa nga elementët e tij më të shëmtuar.

Natyrisht, nacionalizmi është i gjallë edhe në Shqipëri, por versioni shqiptar, unë do të thoja se është pak më i butë se versioni serb ose grek (të cilin e pamë pak ditë më parë në Bularat). Pra, pse ekziston ky dallim? Besoj se ka shumë arsye.

Shqipëria ishte e fundit nga vendet e Ballkanit që shpalli Pavarësinë dhe e fundit që zhvilloi një ndërgjegje moderne kombëtare. Pse u vonua zhvillimi nacionalist në Shqipëri? Edhe pse kjo pyetje është e ndërlikuar, mund të kuptohet kryesisht në termat e politikave të ndjekura nga osmanët dhe natyrës së vetë shqiptarëve.

Osmanët, që sunduan shqiptarët për rreth katër shekuj, ndoqën politika që pengonin në mënyrë efektive zhvillimin e një vetëdijeje kombëtare. Disa nga këto politika u zbatuan për popujt e Ballkanit në përgjithësi, ndërsa të tjera u aplikuan vetëm për shqiptarët. Fillimisht, osmanët i ndanë vendet e pushtuara prej tyre në njësi administrative pa marrë parasysh kombësinë, dhe shqiptarët u ndanë në katër vilajete të veçanta ose rajone administrative.

Më pas, meqenëse feja nuk ishte e lidhur me kombësinë në Shqipëri, siç ishte në pjesën më të madhe të pjesës tjetër të Ballkanit, osmanët konkluduan se gjuha, arsimi dhe kultura ishin elementë kritikë në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar.

U vendosën kufizime të ashpra në mësimdhënien e gjuhës shqipe, pasi një gjuhë e shkruar e përbashkët mund të nxiste zhvillimin një literaturë të përbashkët, zbulimin e një të kaluare të përbashkët dhe rritjen e nacionalizmit modern.

Jo të gjitha pengesat që osmanët vendosën në rrugën e zhvillimit të nacionalizmit shqiptar ishin shtypëse. Shqiptarët e gjetën veten në një pozicion të favorshëm në Perandorinë Osmane dhe për këtë arsye nuk ndjenë të njëjtin nivel pakënaqësie për sundimin e huaj, sikurse shumica e popujve të tjerë të Ballkanit.

Përkundrazi, shqiptarët shpesh i shihnin turqit si mbrojtës, kundër grekëve dhe serbëve armiqësorë. Për shumë shqiptarë, Perandoria Osmane ofroi mundësinë për një karrierë dhe për avancim në ushtri ose në administratë, ku ata shërbenin në shifra joproporcionale.

Turqit nuk ishin përgjegjës për të gjitha pengesat në rrugën e rritjes së nacionalizmit shqiptar. Natyra e qytetërimit dhe trashëgimisë shqiptare ofroi pengesa të rëndësishme indigjene (lokale-vendase).

Ndarjet dhe nivelet e ndryshme të zhvillimit brenda shoqërisë shqiptare nxitën klanizim dhe lokalizim, duke frenuar të menduarit në terma kombëtarë. Ekzistenca e tre ose katër besimeve fetare (përfshirë muslimanët bektashinj) e penguan Kishën të luante rolin unifikues që pati në shumë zona të tjera të Europës Lindore.

Më e rëndësishmja, natyra e shoqërisë shqiptare siguroi një pengesë të fuqishme kundër bashkimit. Përveç dallimeve fetare, shqiptarët u ndanë gjithashtu për arsye gjuhësore, kulturore, shoqërore dhe ekonomike. Kjo përçarje është nxitur nga ekzistenca e tre faza konfliktuale të qytetërimit: klanet malësore të pavarura në Veri, bejlerët feudalë në Jug, (të cilët sunduan mbi fshatrat e toskëve muslimanë, përgjithësisht të bindur), dhe popullsia më e arsimuar dhe e urbanizuar në periferitë helenike dhe katolike.

Turqit shfrytëzuan përçarjen dhe mungesën e zhvillimit duke nxitur mosmarrëveshje midis dhe brenda këtyre fazave të qytetërimit, shpesh duke marrë rolin e arbitrit.

Përkundër presionit të vazhdueshëm të disa elitave nacionaliste shqiptare, të ndihmuar nga politika represive të ndjekura nga disa nga fqinjët e Shqipërisë, lloji i nacionalizmit të ashpër që shohim gjetkë në Ballkan, nuk është zhvilluar mes shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Irredentizmi, çelësi i nacionalizmit tradicional, duket të jetë qëllim në vetvete për vetëm disa shtete. Ashtu si çdo gjë tjetër në Ballkan, kjo nuk është e pandryshueshme. Nëse qëllimi i Perëndimit është të ndihmojë në zbutjen e zhvillimit të nacionalizmit të fortë tradicional në mesin e shqiptarëve, besoj se ekzistojnë strategji që mund të lehtësojnë këtë proces.

Këto strategji përfshijnë zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Ohrit në Maqedoni, zgjerimin e autonomisë reale për shqiptarët etnikë atje dhe ndoshta më e rëndësishmja, duke pranuar plotësisht pavarësinë e Kosovës. Dhe së fundmi, siç mësuam të gjithë nga një studim i Ballkanit gjatë periudhës së dy luftërave, përpjekja për të zgjidhur problemin politik, pa i kushtuar vëmendje ekonomisë, ka të ngjarë të jetë e pasuksesshme.

Mentori im i nderuar serb, profesor Dimitrije Gjorgjeviç, donte të përsëriste fjalimin e vjetër të Ballkanit: një bark i zbrazët djeg një vrimë në flamur. Ky ndoshta mund të jetë çelësi kryesor për të dekurajuar në mënyrë efektive zhvillimin e nacionalizmit të ashpër, tradicional, shqiptar.

Unë besoj se shqiptarët kanë shumë gjëra për t’i mësuar pjesës tjetër të Europës Lindore. Ata kanë shmangur shumë nga aspektet më negative të nacionalizmit, ato aspekte që duket të jenë inkurajuese për Trump, Orban dhe Salvinin. Shumica e shqiptarëve duket se e kanë përqafuar konceptin e patriotizmit. Unë besoj se ky është një zhvillim shumë pozitiv, që rrit stabilitetin e Ballkanit.

*Bernd J. Fischer është Professor Emeritus i Historsë në Indiana University, Fort Wayne. Ai është autor i një numri librash, përkthyer në shqip dhe gjuhë të tjera, ndër ta Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri; Shqipëria në luftë, 1939–1945; Identitete shqiptare: Historia dhe Miti (bashkë-editor dhe bashkë-autor); Të fortët e Ballkanit: Diktatorët dhe sundimtarët autoritarë të Europës Juglindore (editor dhe bashkë-autor); Shqipëria 1943-1945, një pamje përmes dokumenteve Perëndimor;, Përplasja me Romën.

**Analiza është shkruar për gazetën Tirana Times. Përktheu nga Anglishtja për Politiko.al: Loneta Progni.

Modifikuar më Hënë, 03 December 2018 19:02
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...