Salepçiu në Porta a porta

Hënë, 11 Mars 2019 19:25

Nga Eden Babani, Bruksel

Intervista e Kryeministrit Rama në Porta a Porta më kujtoi këngën e Salepçiut. Ka qenë një këngë satirike që e kam pas dëgjuar në fëmijërinë dhe në rininë time të hershme. Them se do të jetë kënduar së pari në Shkodër, meqë emri “salepçi” në trajtë të pashquar, kur shquhej shpesh thuhej “salepçia”. Prej andej, kënga do të jetë përhapur gjithandej viseve shqiptare. Por mund të jetë edhe gjakovare. E ka kënduar Muharrem Qena, madje në variantin e normës letrare, “salepçiu”. Gjithsesi, kështu apo ashtu, nuk kam qëllim gërmoj në origjinën e këngës, çka do të ishte detyrë e tjetërkujt. Mua ma kujtoi Porta a Porta e mesnatës së të hënës 4 mars, në të gdhirë të 5 marsit. As vetë s’di sesi, por ma kujtoi.

1

Salep i ëmbël, salep i nxehë, urdhëroni myshterinj!...

E pandodhura, ndodhi. Nuk mund ta besonte kush, por ja që ndodhi. Kryeministri i Shqipërisë u ngrit e vajti një pasmesnatë te Porta a Porta e Bruno Vespës, të shiste salep nga Shqipëria. T’ua shiste nja pesë-a-gjashtëqind-mijë italianëve të pagjumë, sepse kusuri i tyre 60-milionësh nuk ia kishte ngenë as vetë Vespës, jo më Edi Ramës e Igli Tares. Madje as dy të ftuarve të tjerë, që s’dihet çfarë interesash i lidhin me krizën politike e institucionale që po përjeton Shqipëria.

Mirë Mimmo në panelin e të ftuarve, me demek “një nga 20 mijë sipërmarrësit italianë që janë transferuar në Shqipëri”. Por e çuditshme ishte prania e Pietro Senaldit, drejtor aktual i gazetës Libero, një gazetë historikisht pranë së djathtës dhe qendrës së djathtë italiane, qysh se drejtohej prej paraardhësve të tij, Vittorio Feltri dhe Maurizio Belpietro. Mos vallë ekonomia e Italisë tashmë në recesion (recessione tecnica, siç ka vlerësuar ditët e fundit Banka Qendrore Europiane), bën që ndonjë personalitet i kulturës dhe i gazetarisë italiane, edhe pse i njohur për lidhje të ngushta me Forza Italia dhe me Silvio Berluskonin, të lakmojë milionat e paligjshëm të eurove që hedh me bujari mafia shqiptare e drogës dhe e prostitucionit? Vitet që rrokullisen rrëmbimthi përtej të shtatëdhjetë-e-pesave, çfarë nuk bëjnë, teksa një Muriz nga Lushnja, një Ligoraq nga Korça a një Maliq nga Berati, fjala vjen, thuhet se janë shitur për 300 mijë euro...

Sipas analistit Fatos Lubonja, “qeveria e tanishme e Italisë udhëhiqet nga njerëzit që janë anti-kastë”. Janë të njohura marrëdhëniet e mira të Ramës me Renzin dhe me kastën e tij të majtë, që të çon deri te Fedrica Mogherini në BE. Ndryshon puna me koalicionin e sotëm qeverisës, jashtë çdo logjike politike. Dy nënkryeministrat, Salvini e Di Maio, - përkatësisht liderë të Lidhjes së Veriut (Lega Nord) dhe të Lëvizjes 5 Yje (Movimento 5 Stelle), - s’po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështje jetësore të Italisë, jo të programojnë politika qasjeje ndaj Shqipërisë. Ja pse, gjithnjë sipas zotit Lubonja, “Rama për momentin është mbështetur tek lidhjet e vjetra. Ndaj shkoi tek Vespa që ka lidhje me kastën e vjetër, ndërkohë që pjesa e re e politikës italiane është e paqartë” në qëndrimet e saj ndaj Shqipërisë.

Atëherë, ku i gjeti, Bruno Vespa 20 mijë italianët “e transferuar në Shqipëri”? Mendja ma thotë se - dashur a padashur, kjo është punë e tij, - i ka besuar verbërisht rrenës së Kryeministrit Rama, teksa Porta a Porta nuk e kishte aspak të vështirë të hulumtonte profesionalisht dhe të sillte një shifër më të besueshme. Ta zëmë “10 herë më pak, - sipas të dhënave nga burime serioze të zotit Lubonja, - pra, nja 2 mijë, që mund të kenë 1 apo 2 njerëz të punësuar”. Po të shtosh edhe nja 3 mijë e ca rezidentë të tjerë italianë, - kryesisht pensionistë me të ardhura të ulëta që nuk e përballojnë dot jetën e shtrenjtë në vendlindje, - shifrat mbeten shumë larg së vërtetës. Hullia që e çoi Ramën te Porta a Porta, tashmë është e dukshme, e pastruar paq nga ferrat: Renzi (kastë e majtë) – Mogherini (pjesë e kastës Ranzi) - Vespa (kastë e vjetër) – Rama (kastë në grahmat e fundit të pushtetit).

Gjej rastin të shtoj se, sipas mediave të këtushme, në Mbretërinë e Belgjikës, numërohen nja 27 mijë rezidentë britanikë. Shifra është bërë e njohur këto ditë, në kuadër të marrëveshjeve midis dy vendeve, në pritje të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian (Brexit). Pra, shpërngulur nga një vend 66-milionësh, në një vend 11-milionësh, numërohen rreth 27 mijë rezidentë, kur raporti mes popullatave përkatëse është 6 me 1 dhe kur ligjet funksionojnë si sahat në të dy vendet. Po vendi ynë 3-milionësh, tashmë i tkurrur në jo më shumë se 2 milionë e gjysmë, a thua i pranon 20 mijë italianët, kur raport mes popullatave është 20 me 1 dhe kur funksionimi i ligjit në Shqipëri është një ëndërr sot për sot? Kam bindjen se krahasimi i mësipërm, vë në dukje fare mirë edhe përmasat e gënjeshtrës së Kryeministrit të Shqipërisë, edhe përmasat e gafës së një gazetari me përvojë, siç është Bruno Vespa.

Marrë në tërësi, programi i asaj pasmesnate në Porta a Porta me salepçiun shqiptar, ishte dështim i plotë i Bruno Vespës. Jo vetëm për gafat e tij dhe për njëanshmërinë që e karakterizoi fund e krye atë gjysmë ore program, por edhe për censurën ndaj liderit të opozitës shqiptare, Lulzim Bashës, i cili pranoi më pas se kishte bërë gabim që kishte pranuar të intervistohej paraprakisht. Tri minutat e premtuara për intervistën, stafi i Vespës i tkurri në një minutë, duke e katandisur kokoshin një thelë.

2

Dalin njerëzit në dritare: Plaç të preftë, or dreq!... / Salepçiu nga inati, zë bërtet më keq / Salep i ëmbël, salep i nxehtë, urdhëroni myshterinj!...

Në panelin e Porta a Porta të asaj mesnate të paharruar, mungonte Baton Haxhiu, këshilltari “i vyer” i Kryeministrit Rama. Harresë nga ana e stafit të Vespës apo shkaqe të tjera më të rëndësishme? Kushedi!... Ama me Batonin, paneli do të kishte qenë më i plotë. Mbase do ta kishin ndjekur programin edhe ca mijëra italianë më shumë, sado që vetë Vespa dhe drejtori i Libero-s do të ndiheshin paksa më të sikletosur. Sepse, në fund të fundit, Rama njihet për Kryeministër, si edhe Tare për drejtor i një klubi të madh futbolli, kurse Batoni nuk është një “kinse”, si italiani “biznesmen” me emrin Mimmo, por një nga spiunët e njohur botërisht e të paguar rëndëshëm nga Serbia që, sipas analistit politik, Reshat Badallaj-Zhuriani “deshën t´i helmojnë shqiptarët me ushqime kanserogjene nga Serbia fashiste, me ushqime qensh e derrash, qe t´i vrasin ngadalë dhe t´i tredhin, që të mos shtohen”.

Për fat të mirë, atë natë Batoni ka qenë i zënë me probleme të tjera, më të rëndësishme sesa një farsë, qoftë edhe në të famshmen Porta a Porta, dhe nuk shkëputej dot nga detyra. Kryeministri i Italisë Konte takohej në Beograd me Presidentin Vuçiç. Përndryshe, Çarteri i Lazios me urdhër të Tares, dhe Batoni, fup e në pilaf. Mbase sillte edhe ndonjë ibrik me lëfyt të gjatë e të lakuar si qafë pate, dhuratë nga artizanët serbë.

Salepçiut do t’ia thërriste sa kishte në kokë: “Salep i ëmbël, salep i nxehtë, urdhëroni myshterinj, / Të gjithë e dinë se si unë, kurrkush s’e ka mjeshtërinë”. Pastaj veç dhe të përkulej paksa që salepi të rridhte curril drejt e në filxhanët e të ftuarve...

3

Sillet burri rreth qytetit dhe vikat si hut / degët e fytit, prej sikletit, i dalin jashtë një kut. / Salep i ëmbël, salep i nxehtë, urdhëroni myshterinj!...

Nga Rai 1, te e përditshmja italiane La Republika dhe te La 7 TV. Është bash salepçiu Rama, gjithnjë, duke iu ofruar myshterinjve italianë salep, që t’i relaksojë, duke rrahur të zbardhë imazhin e nxirë nga opozita shqiptare.

Kësaj here, në La 7, Rama u shoqërua nga italiani Vittorio Sgarbi, një kritik i njohur arti, eseist, politikan etj, i përfshirë njëherësh në mjaft zënka e sherre mediatike, si rezultat i të cilave ka pësuar dënime civile e penale për fyerje, shpifje e mashtrime ndaj shtetit dhe individëve të caktuar. Sjell si shembull përplasjen me ish-deputeten e djathë Alessandra Mussolini, në vitin 2006. Janë të njohura, gjithashtu, zënka me konteshën Pia Bressanin della Rovere, lidhur me motive pazaresh, për restaurimin e një pikture (më dhe 8, më premtove 25 milionë...) ose sherri me një mësuese-poete në një program të moderatorit të njohur italian Maurizio Costanzo.

A doni më për miqësinë e Sgarbit me salepçiun shqiptar? Pse jo?

Sa për ilustrim për lidhjet e tyre kaq të ngushta e miqësore, po sjell edhe një fakt, ndonëse tashmë i njohur. Ishte bash ky Sgarbi që zbrazi pa kursim lloj-lloj lavdërime me të qena e të paqena për mikun e tij Kryeministër të narkoshtetit, gjatë promovimit të “Kurbanit” në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, në maj të vitit 2018, pra në pikun e vërshimit të drogës shqiptare drejt brigjeve të Gadishullit Apenin. Komentet do të ishin të tepërta. Shkurt, siç themi ne, krushqia ngjet pa bëhet.

Ndërkohë, zoti Basha mendon  “...të mos merremi më me Ramën. Rama është përfaqësuesi i një sistemi të shembur nga populli. Ai vetë mund të bredhë si Jaser Arafati, çdo natë në një vend tjetër. Njeri s’e pret, edhe pse paratë e drogës i ka me shumicë, paratë e oligarkëve, zgarbat me shokë i ka me shumicë”.

Më tërhoqi vëmendjen në deklaratën e liderit opozitar, fjala “zgarbat”, që më tingëlloi  si “sgarb - Sgarbi”. Nuk e kisha dëgjuar atë fjalë dhe nuk e dija çka donte me thënë. Duke konsultuar Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, mësova se zgarbë (f) është një “sgavër e madhe në trungun e një druri, zgërbonjë...”

Në këtë rast, nuk ma do mendja që zoti Basha të ketë goditur tërthorazi, sepse, siç mendoj unë, tërthoret nuk janë në natyrën e tij. Megjithatë, fjala “zgarbat” m’ u duk me vend, ngase, sido që ta rrotullosh fjalën, ata mbi të cilët po mbështetet  Kryeministri Rama për t’iu shmangur asgjësimit politik, janë kërcunj të “zgarbulluar” (Fjalori...). Kësisoj, fjala është e qëlluar.

4

 Jemi në dimër, erret nata, del një burrë i fortë,  / trup vigan dhe shalë të gjata, me brekushe sport.  / I bie rrugës gjerë e gjatë burri simpatik / ta dëgjojë i gjithë vendi se çka ka në ibrik. / Salep i ëmbël, salep i nxehtë, urdhëroni myshterinj!...

Dhe kënga e Salepçiut, nga Italia rikthehet në Shqipëri. Jehon në Fier, në Durrës, në Gjirokastër, anekënd vendit.

Madje atje ku i presin rrugën një grusht “militantësh të Saliut, që shpërngulen me autobusë nga udhëkryqi, në udhëkryq”, mu aty tek do të kalojë salepçiu Kryeministër, ky kërkon ndihmën e Policisë së Shtetit, për të shpërndarë atë “grusht militantësh të Saliut”. Dhe, kur Policia nuk ia del dot t’i shpërndajë, Ministri ish-gjeneral, Lleshaj, i dërgon një helikopter, gjithashtu të Policisë së Shtetit.

Kësaj, në Devoll i thonë: Hëni kos e hëni dhallë, gomarica vjen vërdallë...

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...