Që boja e reformës në drejtësi të jetojë më gjatë se boja e fasadave të Edi Ramës

E Enjte, 25 July 2019 11:18

Desada Metaj

E sigurt është se reforma do të vazhdojë të paketohet si zgjidhja më e mirë për shqiptarët dhe se Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme do jenë për gjatë të përkohshme.Duke na bërë, kështu, të gjithëve nostalgjikë për kohën kur Edi Rama pikturonte fasadat e pallateve që dukeshin nga larg plot ngjyra ndjellëse, por që nga brenda lëngonin nga vjetërsia.

Gjatë tre viteve të zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri, edhe pse shqiptarët kanë qenë të bombarduar çdo çast me propagandë, me premtime dhe me me dogma didaktike, nuk kanë mundur dot t’u fshehin atyre dy gjëra.

Së pari, faktin se kjo reformë ka sjellë direkt pasoja të prekshme, të rënda në jetët e tyre dhe në jetën politike dhe ekonomike të vendit; dhe së dyti, faktin se tre vite dhe mbi 200 milionë euro më pas reforma po çon në mënyrë të pashmangshme në gjendjen ku çdo institucion i lartë i drejtësisë në Shqipëri do të “mbushet” dhe drejtohet me të përkohshëm dhe të paverifikuar.

Vendimi i para dy ditëve për të komanduar gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë, apo i para disa ditëve për të emëruar drejtues të pavetuar në prokuritë e vendit, pas thuajse gati dy vjetësh me një Prokurore të Përgjithshme të përkohshme, të gjitha bashkë nuk kërkojnë shumë njohuri juridike për të kuptuar se paketimi i reformës si sukses u ngjan atyre tregtarëve që për të shitur mallin e skaduar manipulojnë datën e skadencës.

Por tashmë është e qartë se etikat në gjuhë të huaj apo malli i veshur me paketim perëndimore vazhdon të ketë efekt shkëlqyes vetëm tek ata që nuk kanë ndonjë hall për të zgjidhur në dyert e gjykatave shqiptare.

Në këtë kategori, padyshim, bëjnë pjesë diplomatët e huaj në Tiranë, të cilët ngazëllehen për reformën, e cila për ta është thjesht një pjesë e orarit zyrtar të punës dhe për disa mjet për përparim në karrierë, ndryshe nga ndonjë hallexhi shqiptar që mund të ketë vite që pret në dyert e Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese për të marrë drejtësi për ndonjë çështje jetike.

Ndaj tingëllon çuditshëm deklarata e dy ditëve më parë e të ngarkuarës me punë të ambasadës amerikane në Tiranë, e cila duke ju referuar boshatisjes totale të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese u shpreh:

“…disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon se rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte nevojshme”.

Këta “disa” në rastin e Gjykatës së Lartë janë mbi 40 mijë qytetarë apo familje që presin shqyrtimin e dosjeve të bëra kapicë në Gjykatën e Lartë, dhe me dhjetëra mijëra të tjerë që nuk ishin dakort për zhvillimin e zgjedhjeve njëpartike dhe presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit.

Një gjë është e sigurtë: këta “disa” janë shumë shumë më tepër se duartrokitësit dhe anglishtfolësit e reformës.

Në ç’vend të Europës (në SHBA as që bëhet fjalë) nevoja për një çfarëdo lloj reforme e ka çuar vendin në kolaps dhe ka bllokuar funksionimin normal të gjykatavë të nivelit të lartë!

    

Jo vetëm kaq, por këtë kolaps të paketuar si kalin e drejtësisë na duhet edhe ta përshëndesim dhe duartrokasim, sepse miqtë tanë ndërkombëtarë kanë nevojë për pak entuziazëm lokal.

Pavarësisht se nuk i morën kurrë në konsideratë paralajmërimet për kolapsin që mund të sillte një reformë e hartuar me nxitim; pavarësisht dyshimeve se hartuesit e kishin qepur reformën si kostum për të preferuarit e tyre; pavarësisht çdo kritike për mënyrën si po funksionon në praktikë reforma; hendeku mes asaj që u premtua dhe asaj që ne prekim është sot më i thellë se kurrë.

Ndaj dhe lëvizja e para dy ditëve për të emëruar anëtarët e Gjykatës së Lartë, tinëz dhe në mënyrë të jashtëligjshme, është thjesht një rrugëdalje alla shqiptarçe për ngrehinën pa themele të reformës në drejtësi. Të asaj reforme që kështu si është katandisur nuk i rri për shtat as një kioskë, e jo më një Pallat me emrin e Drejtësisë.

Sepse asnjë ndërtesë me fasadë moderne në shërbim të drejtësisë, asnjë bashkim ambasadorësh në një foto nuk mund të zbehin dot nevojën urgjente për një Gjykatës të Lartë dhe Kushtetuese të pavarur, profesioniste dhe funksionale.

E nëse në foto bashkohen dhe buzëqeshjet e Zotit Manja dhe Zotit Xhafaj, atëherë me gjasë mundësitë më të mëdha për t’u shndërruar më Gjykatë të Lartë e ka Gjykata e Durrësit.

Si e vetmja gjykatë në botë që ka dhënë dy vendime të ndryshme për të njëjtën çështje, ajo mund të ishte padyshim kandidate dhe për Gjykatë Kushtetuese.

Por deri sa të harrohen gjëmat e Durrësit, ka kohë ende që të përgatiten rregulla të reja për anëtarët e saj. Madje ka kohë dhe hapësirë mjaftueshëm që të trembin kundërshtarët dhe rivalët me gogolin e SPAK-ut.

E sigurt është se reforma do të vazhdojë të paketohet si zgjidhja më e mirë për shqiptarët dhe se Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme do jenë për gjatë të përkohshme.

Duke na bërë, kështu, të gjithëve nostalgjikë për kohën kur Edi Rama pikturonte fasadat e pallateve që dukeshin nga larg plot ngjyra ndjellëse, por që nga brenda lëngonin nga vjetërsia.

E duke na bërë të shpresojmë se boja e reformës do të ketë jetë të gjatë, po aq sa fasadat e ish-kryetarit të bashkisë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...