Roli i Ramës dhe Thaçit, në tentativën për të ‘eliminuar’ Ramush Haradinajn!

Premte, 26 July 2019 14:12

Fatos Lubonja

Thirrja në Hagë e Haradinajt, shoqëruar nga dorëheqja e tij nga posti i Kryeministrit, ngre disa çështje të rëndësishme të lidhura me të ardhmen e shqiptarëve e rajonit, që nuk po i shoh të artikulohen në kompleksitetin e tyre, pasi po mbyten nga hipokrizia e politikës në një anë dhe nacionalizmi ynë primitiv në anën tjetër.

Çështja kryesore ngrihet rreth pyetjes nëse ka apo s’ka lidhje kjo thirrje me qëndrimet e fundit të Haradinajt si Kryeministër:-vendosja e taksës Serbisë dhe kundërshtimi i ndryshmit të kufijve të Kosovë. Kjo lidhet pastaj me pyetjet: A ka kush interes ta heqë qafe Haradinajn për shkak të këtyre qëndrimeve dhe nëse është kështu, cilat janë pasojat?

Sigurisht që dikush ka interes. I pari është Vuçiçi, i cili e sheh si pengesë edhe për taksën, edhe për idenë e ndryshimit të kufijve. Këtij i duhen shtuar edhe kundërshtarët shqiptarë, ndër të cilët i pari renditet Thaçi, që e sheh si pengesë kryesore për idenë e ndryshmit të kufijve, por edhe si rival politik.

I dyti është aleati i Thaçit në Tiranë, Edi Rama i cili edhe ai bën pjesë në planin Vuçiç-Thaçi, çka ka ndikuar që Haradinaj të lidhet shumë më tepër me kundërshtarët e tij politikë në Tiranë: Meta dhe Basha. Gjithashtu, nuk ka dyshim se Haradinaj shihet si problematik edhe nga ata, që rëndom i quajmë ‘partnerët tanë ndërkombëtarë’.

Nga të gjithë ata, për shkak të taksës që ka bllokuar procesin e negocimit me Serbinë dhe nga një pjesë, që mbështet idenë e ndryshimit të kufijve-ku do të fusja më së shumti amerikanët.

Pikëpyetja e dytë që ngrihet pas kësaj është: po a ka të ngjarë që Gjykata e Hagës të përdoret për këto lojëra, që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë?

Po t’i referohemi librit të Carla del Pontes, që na tregon qartazi dhe me fakte të shumta nga gjithë bota se si drejtësia ndërkombëtare është komprometuar ngase është nxitur të veprojë ose të mos veprojë sipas interesave gjeopolitike, dyshimet janë se po.

Në këtë pikë mund të them se nëse një pjesë e ndërkombëtarëve mund të gëzojnë ende favorin e dyshimit, nuk ka as më të voglin dyshim se politikanët serbë, me në krye Vuçiçin, dhe dy shqiptarët nuk kanë hallin e drejtësisë, por të përdorimit të saj për interesat e tyre të pushtetit. Ndër këto interesa, më të lexueshme janë ato të Vuçiçit; më të palexueshme janë ato të Thaçit dhe Ramës.

Le të ndalemi te këto të dytat që edhe na interesojnë më shumë.

Ajo që ra në sy ishte sesi Thaçi dhe Rama patën vështirësi të prononcoheshin haptazi në favor të thirrjes së Haradinajt në Gjykatën Speciale si i dyshuar, por edhe se deklaratat e tyre kishin një ndryshim të madh me deklaratat e Metës dhe Bashës. Ndërkohë që këta dy të fundit ishin në sintoni të plotë në mbështetjen pa ekuivok për Kryeministrin e Kosovës: ‘Ramush Haradinaj është vetë Kosova e lirë, e pavarur dhe europiane’ (Basha); ‘krenar për zotin Haradinaj dhe i bindur në pafajësinë e tij.’ (Meta); ato të Ramës e Thaçit ishin të ftohta dhe plot ekuivokë. Pa i përmendur as emrin, Rama reagoi duke thënë se: ‘Ftesat nga Haga për protagonistët e UÇK-së janë një sfidë e re e tyre për të provuar deri në fund pafajësinë’. Ftohësi dhe distancim ndihej edhe në reagimin e Thaçit, i cili e renditi Haradinajn në mes emrash të tjerë dhe e vuri theksin te pastërtia UÇK-së.

Këto reagime të Ramës dhe Thaçit nuk kanë të bëjnë fare me atë se këta janë më të ndjeshëm ndaj çështjes së krimeve të luftës që ka kryer UÇK ndaj serbëve dhe shqiptarëve të pafajshëm. Kjo ndjenjë nuk hyn fare në regjistrin mendor të politikanëve shqiptarë. Ata thjesht kërkuan më një anë të amortizojë goditjen që mund të marrin nga fakti se popullariteti i Haradinajt u shtua aq sa disa e futën në listën e Skënderbejve të kohës sonë moderne, në anën tjetër të shfaqin dakordësinë me thirrjen e aleatëve tanë vendimtarë, që sot mund të lexohet edhe si aleatët e tyre vendimtarë. Për ta, Haradinaj duhet të shkojë në Hagë, që të mënjanohet nga politika, por nuk duhet të dalin ata si përkrahës e aq më pak shtytës të kësaj thirrjeje. Kjo punë, për çdo rast, u duhet faturuar ndërkombëtarëve. Duhet thënë se Rama e njeh mirë këtë lojë, pasi po e aplikon edhe ndaj kundërshtarëve të tij në Tiranë. Ndërkaq, për rolin e tyre aludoi qartazi Ilir Meta, pasi shkruan se: ‘Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane’, duke aluduar se thirrja e Haradinajt duhet lidhur me idenë e ndryshmit të kufijve – shtoi se Haradinaj është ‘burrë shteti, që nuk e thyejnë presionet e pabesitë’. Presionet mund të vijnë nga Vuçiçi, por pabesitë nuk mund të vijnë veçse nga të vetët.

Nga sa thashë, gjykoj se thirrja e Haradinajt duhet lexuar si një nga aktet e luftës për pushtet që po luhet në Kosovë dhe Shqipëri me protagonistë Thaçin dhe Ramën.

Si gjithmonë për ta fituar këtë luftë, ata kanë nevojën e mbështetjes ndërkombëtare e veçanërisht amerikane, me të cilën t’u imponohen shqiptarëve. Në aktin në fjalë, për të fituar këtë mbështetje, duket se roli i Serbisë ka qenë vendimtar. Nuk besoj se jam shumë largvajtës nëse supozoj se në ambiciet e tyre të sëmura, një ditë, pas realizimit të bashkimit me kompromisin e ndërrimit të kufijve, këta ta shohin njëri-tjetrin si rivalë për Kryeministrin e Shqipërisë së Madhe. Dhe nuk është pa gjasë që, në një akt tjetër, raporti i Dick Martit të dalë përsëri në skenë për të nxjerrë nga loja ‘gjarprin’ e Prishtinës në favor të mashtruesit e manipulatorit të Tiranës.

* * *

Rreziqet që shoh te ky skenar, nëse lejohet të çohet përpara, janë disa.

Së pari, më e dhimbshmja në këtë histori është se shoqëritë serbe dhe shqiptare që presin drejtësi për krimet e kryera ndaj njerëzve të tyre të pafajshëm, po e shohin edhe një herë tragjedinë e tyre të instrumentalizuar për qëllime politike e gjeopolitike. Dhe kjo ka si anë tjetër të medaljes faktin se do të kemi një shtyrje të mëtejshme të vendosjes së paqes dhe pajtimit të vërtetë midis popujve shqiptar dhe serb, por edhe midis shqiptarëve të Kosovës.

Së dyti, ky skenar, si shkurtore e zgjidhjes së negociatave Prishtinë – Beograd nëpërmjet ndarjeve etnike, çon në thellimin e dështimit të idesë së një Europe të paqes, bashkëpunimit dhe solidaritetit, ku krahas kultivimit e ruajtjes së traditave më të mira kulturore, popujt e saj bëjnë të përbashkëta arritjet e vlerat më të mira të vendeve europiane.

Së treti, kjo lojë politike çon në rrezikimin e mëtejshëm të demokracisë, pluralizmin e shtetit të së drejtës si në Kosovë dhe në Shqipëri, në favor të rritjes së autoritarizmit të liderëve, që e ruajnë pushtetin në sajë të lojërave gjeopolitike.

Së katërti, ajo largon vëmendjen dhe energjitë e shqiptarëve nga keqqeverisjet dhe abuzimet e jashtëzakonshme me pushtetin, që janë në rritje si në Kosovë, me protagonistë Thaçin dhe Haradinajn edhe në Shqipëri, me protagonist Edi RamëS./ Panorama

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...